Bjeshkët e Prevallës janë kapluar nga zjarri sot që nga orët e hershme të mëngjesit. Në pamjet e siguruara nga RTK shihet që zjarri ka kapluar një pjesë të bjeshkëve.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi ka thënë për transmetuesin publik se nuk dihen shkaktarët e zjarrit.
“Lidhur me zjarrin në bjeshkët e Prevallës që në orët e mëngjesit, sot me datë 11.08.2024, komandanti i Stacionit Policor të Prizrenit ka pasur takim me Drejtoreshën e Emergjencave të Komunës së Prizrenit dhe zyrtar të tjerë dhe së bashku janë koordinuar për veprimet për shuarjen e zjarrit”, ka theksuar Bytyqi për RTK-në.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se policia së bashku me zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente janë vënë në dispozicion për ta shuar zjarrin. Gjithashtu nismës i janë bashkuar edhe disa vullnetarë./rtklive