Zgjedhja e presidentit, Ramadani: Aleanca e ka të qartë qëndrimin
Zgjedhja e presidentit të Kosovës dhe përpjekjet për arritjen e një dakordimi politik mes partive vazhdojnë të jenë në qendër të zhvillimeve institucionale.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka deklaruar se AAK-ja e ka të qartë qëndrimin e saj dhe nuk është pjesë e ndonjë procesi të ri negociues, duke theksuar se diskutimi për presidentin tashmë është zhvendosur nga përmbajtja tek forma e procesit.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka komentuar zhvillimet rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke thënë se diskutimi politik për këtë çështje tashmë është zhvendosur nga përmbajtja tek forma e procesit.
Ramadani tha se Aleanca e ka bërë të qartë qëndrimin e saj përmes gjashtë pikave të propozuara më 26 qershor dhe se nuk është pjesë e ndonjë procesi të ri negociues mes partive politike.
Sipas tij, në këtë fazë diskutimi nuk lidhet më me përmbajtjen e pikave të propozuara, por me mënyrën se si palët po e trajtojnë procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Domethënë s’ka mundësi për përmbajtje dhe i tërë qëllimi është forma, pra është fotografia”, deklaroi Ramadani.
Ai shtoi se AAK-ja nuk është pjesë e negociatave për këtë çështje, duke theksuar se qëndrimi i saj tashmë është bërë publik.
“Aleanca nuk është pjesë e çfarëdo lloj negociimi, sepse i kemi pasur tepër të qarta”, tha Ramadani.
Zgjedhja e presidentit mbetet një nga çështjet kryesore në zhvillimet aktuale politike, ndërsa partitë po zhvillojnë diskutime lidhur me hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës institucionale.
Ramadani: Mbikëqyrja parlamentare e institucioneve të sigurisë është e domosdoshme
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka folur pas mbledhjes së Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e funksionalizimit të komisionit dhe vazhdimit të mbikëqyrjes parlamentare ndaj institucioneve të sigurisë.
Ramadani tha se në mbledhjen e sotme është bërë konstituimi i komisionit dhe janë përcaktuar fushat e veprimit, me qëllim që të rikthehet mbikëqyrja parlamentare mbi institucionet përkatëse.
“Si Aleancë shpresojmë që ky mandat të vazhdojë, sepse institucionet civile dhe ato të sigurisë të kenë mbikëqyrje parlamentare është e domosdoshme”, deklaroi ai.
Sipas Ramadanit, për një periudhë të gjatë nuk ka pasur mbikëqyrje të vazhdueshme parlamentare, për çka ai e konsideron funksionalizimin e komisionit si një çështje me rëndësi të veçantë.
Megjithatë, ai shprehu shqetësim për mënyrën se si mund të zhvillohet ky proces në të ardhmen.
“Fatkeqësisht nuk jam optimist se çka do të ndodhë për shkak të politikave edhe të qëllimeve jo të mira politike që ka pushteti aktualisht dhe si e tillë duket se do të dështojë gjithçka”, tha Ramadani. /RTKlive