Aeroporti i Stambollit mbetet më i ngarkuari në Evropë me 1.587 fluturime ditore
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka ndërmarrë hapa për të frenuar zemërimin në rritje të qytetarëve në Ukrainë për shkak të një skandali korrupsioni në sektorin e energjisë, duke shkarkuar dy ministra të cilët akuzohen për përfshirje në një skemë ryshfeti.
Presidenti i Ukrainës ka thënë se ministri i Drejtësisë, German Galushchenko dhe ministrja e Energjisë, Svitlana Grynchuk nuk mund të vazhdojnë më në punët e tyre.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje për sanksione personale kundër mikut dhe ish-partnerit të tij në biznes Timur Mindich, organizatorit të dyshuar të skemës.
“Duhet të ketë integritet maksimal në sektorin e energjisë, në absolutisht të gjitha proceset. Unë mbështes çdo hetim të kryer nga zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe ata kundër korrupsionit. Ky është një qëndrim absolutisht i qartë dhe i qëndrueshëm për të gjithë”, ka thënë ai, raporton The Guardian.
“Tani për tani, është jashtëzakonisht e vështirë për të gjithë në Ukrainë, të përballojnë ndërprerjet e energjisë, sulmet dhe humbjet ruse. Është absolutisht e papranueshme që, mes gjithë kësaj, të ketë edhe disa skema (korrupsioni) në sektorin e energjisë”, ka shtuar ai.
Kjo çështje po shndërrohet në një krizë të madhe politike për presidentin. Aktivistët kundër korrupsionit, politikanët e opozitës dhe veteranët e ushtrisë i kanë kërkuar Zelenskyt të ndërmarrë veprime vendimtare, edhe nëse kjo do të thotë shkarkimin dhe burgosjen e dhimbshme të njerëzve që ai i njeh personalisht.
Kjo vjen pas një hetimi 15-mujor nga byroja kombëtare kundër korrupsionit (Nabu) e Ukrainës ndaj kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore Energoatom.
I dyshuari kryesor, Mindich, është një biznesmen i cili bashkëthemeloi Kvartal 95, kompaninë e prodhimit mediatik të Zelenskyt.
Mindich thuhet se ka ikur jashtë vendit, ndoshta në Izrael, disa orë para se hetuesit të mbërrinin në apartamentin e tij në Kiev për të kryer një kontroll. Ai më parë ishte i afërt me Zelenskyn, megjithëse burimet thonë se ata kanë pasur pak komunikim që nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë.
Ndërkohë, Grynchuk dhe Haluschenko kanë paraqitur dorëheqjet e tyre të mërkurën. Të dy kanë mohuar të kenë bërë ndonjë shkelje.
Në korrik, Zelensky ka miratuar një projektligj të diskutueshëm që dobësoi fuqitë e Nabu-së dhe zyrës së prokurorit të specializuar kundër korrupsionit. Nuk është e qartë nëse ky veprim ishte i lidhur në ndonjë mënyrë me rastin Mindich, por shpejt shkaktoi protestat e para serioze kundër qeverisë së tij.
Disa mijëra demonstrues u mblodhën jashtë zyrës së presidentit në Kiev pasi parlamenti miratoi masën.
Zelensky u tërhoq përballë opozitës dhe miratoi legjislacion të ri që rikthente pavarësinë e agjencive.
Po atë muaj, shërbimi i sigurisë së Ukrainës arrestoi një detektiv të shquar të Nabu-së, Ruslan Magamedrasulov. Ai u akuzua për biznes me Rusinë dhe ndihmë ndaj një shteti agresor.
Magamedrasulov u paraqit para gjykatës së apelit në Kiev të mërkurën. Ai mbetet në paraburgim.
Avokatja e detektivit, Olena Scherban, ka thënë se klienti i saj kishte qenë i përfshirë ngushtë në hetimin e Energoatom.
“Ne besojmë se ky është një rast politik dhe burgim politik”, ka thënë ajo. /Koha.net/