Prej vitesh, Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet më të përfolura të Evropës, e promovuar në rrjetet sociale si alternativa ideale ndaj Italisë, Greqisë apo Kroacisë, me peizazhe mahnitëse, ujëra të kristalta, ushqim të mirë dhe çmime më të përballueshme, shkruan reporterja e udhëtimeve Natalie Compton në një artikull publikuar në “Washington Post”.
Por, përtej imazheve perfekte në Instagram, mbetet pyetja: A është Shqipëria vërtet aq mbresëlënëse sa duket online?
Një udhëtim nëpër veri dhe jug të vendit zbulon dy realitete të ndryshme: nga fshatrat e qeta të Shkodrës, liqenet si pasqyrë dhe mikpritja tradicionale, te plazhet e Himarës ku turizmi po ndryshon me ritme të shpejta peizazhin.
Gjatë pesë viteve të fundit, në Instagram-in tim janë shfaqur gjithnjë e më shumë postime për Shqipërinë.
Miq, gazetarë udhëtimesh dhe njerëz të panjohur këmbëngulnin se ajo mbetet alternativa ideale kundrejt Italisë, Kroacisë apo Greqisë.
Sipas tyre, mund të gjesh gjithçka që ofrojnë këto vende – ushqim, natyrë dhe jetë nate – me një kosto më të lirë dhe pa turmat e turistëve.
Shqipëria dukej si zgjidhja ideale për problemin e mbipopullimit turistik në Evropë.
Doja ta besoja, por tingëllonte shumë bukur për të qenë e vërtetë.
Prandaj, kur verën e kaluar nisa udhëtimin në Ballkan, ndihesha disi në mëdyshje.
Unë dhe bashkëshorti im, Dan, kishim kaluar ditë të shkëlqyera që kur morëm një furgon-kampingu në Kroaci.
Kaluan një ditë të mrekullueshme në ishullin Hvar, duke notuar në ujërat vezullues të Adriatikut, duke ngrënë makarona me fruta deti dhe duke pirë verë vendase.
Gjetëm kampe të qeta dhe vende fantastike për not në gadishullin Pelješac.
Gjithashtu mbetëm të mahnitur nga Gjiri i Kotorrit në Mal të Zi.
Ajo që na priste më pas ishte krejtësisht e panjohur: A do t’i përmbushte Shqipëria gjithë ato pritshmëri?
Liqene si pasqyrë dhe kodra të gjelbëruara
Plani ynë ishte ta nisnim udhëtimin në veri, por nuk kishim vendosur një itinerar të saktë.
Furgoni i kampingut na jepte lirinë të ndryshonim planet sipas dëshirës, ndaj pjesën më të madhe të itinerarit e vendosëm gjatë rrugës.
Kishim zgjedhur një rrugë të brendshme për të mbërritur në Qarkun e Shkodrës, një rajon i njohur për malet, liqenet, bujtinat në fermë dhe shtigjet e ecjes, por edhe për historinë e tij.
Qyteti i Shkodrës njihet si një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të vendit.
Thuhej se kjo zonë ishte shumë më e qetë sesa plazhet e Shqipërisë në jug, ku përqendrohet pjesa më e madhe e turizmit – njësoj si ndryshimi mes Umbrias dhe Bregut të Amalfit në Itali.
Sipas Institutit të Statistikave, më shumë se 11,6 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë në vitin 2024, një rritje prej mbi 82% krahasuar me vitin 2019.
Megjithatë, Kroacia priti pothuajse dyfishin e turistëve që vizituan Shqipërinë, Greqia rreth trefishin, ndërsa Italia afërsisht gjashtëfishin.
Ministria e Turizmit ka deklaruar se synon të zhvillojë turizëm të qëndrueshëm, në vend të turizmit masiv, duke u përpjekur të balancojë interesat private me aksesin publik në plazhe.
Megjithatë, zhvillimi po ecën me ritme të shpejta. Projekte të mëdha infrastrukturore, si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, i cili pritet të nisë fluturimet komerciale gjatë këtij viti, si, po ndryshojnë peizazhin.
Asgjë nuk të bënte të mendoje se ndodheshim në një nga destinacionet më të kërkuara të Evropës ndërsa udhëtonim nëpër Qarkun e Shkodrës.
Rreth nesh shtriheshin toka bujqësore të rrethuara nga kodra të thata e shkëmbore.
Në rrugë kishte shumë pak automjete dhe herë pas here kalonte ndonjë traktor.
Pamja të kujtonte më tepër të kaluarën e ndërlikuar të Shqipërisë, kur gjatë regjimit komunist, nga vitet 1940 deri në fund të viteve 1980, kontaktet me botën e jashtme ishin pothuajse të ndaluara.
Rruga kalonte nga asfalti në zhavorr, duke përshkuar fshatra dhe zona rurale, pranë plantacioneve të duhanit dhe xhamive, derisa mbërritëm te “Bujtina Rragam”, një bujtinë dhe restorant i ri, që e kisha gjetur në “Google Maps” dhe që kishte vlerësime shumë pozitive.
Pas një parkingu, na u shfaqën disa ndërtesa guri të restauruara, të vendosura rreth një lëndine të mirëmbajtur.
Përtej një verande të gjatë me tavolina e karrige druri, shtrihej pamja e liqenit të qetë, si pasqyrë dhe e kodrave të gjelbra që humbnin në horizont.
Dhoma jonë ishte shumë e madhe, por njëkohësisht e ngrohtë dhe mikpritëse.
Ajo ishte zbukuruar me tekstile shumëngjyrëshe tradicionale, kishte tavan të lartë me trarë druri, oxhak dhe një ballkon me pamje nga natyra.
Për 126 dollarë kanadezë nata, rezervimi përfshinte edhe një mëngjes të bollshëm në formë bufeje. Ishim me fat.
Hapja e Shqipërisë pas komunizmit
Pasi vendosëm bagazhet, ndoqëm një shteg të shtruar me gurë, që të çonte deri te liqeni.
Atje, dy burra po përfundonin ndërtimin e një platforme prej druri.
Njëri prej tyre ishte pronari i hotelit, Florian Ahmataj.
Ai nuk kishte ndërtuar vetëm platformën, por kishte realizuar edhe pjesën më të madhe të punimeve në të gjithë pronën – nga shtigjet prej guri deri te tavanet me trarë druri, që na kishin bërë përshtypje në dhomë.
Ai më tregoi se kjo pronë ishte një shprehje e dashurisë së tij për vendlindjen.
Ahmataj tregoi se paraardhësit e tij, kishin jetuar në atë tokë prej shekujsh, por vetëm vitet e fundit i kishte lindur ideja për ta kthyer atë në një biznes turistik.
Pesë vite më parë, ai nisi të vinte re gjithnjë e më shumë turistë që vizitonin Shqipërinë.
Herë pas here, disa prej tyre mbërrinin edhe në fshatin e tij.
Çiklistët ndalonin dhe e pyesnin se si mund të zbrisnin deri te liqeni, por nuk kishte një rrugë të përshtatshme.
Kjo e shtyu të ndërtonte një shteg, më pas një restorant dhe në fund një hotel.
Tashmë, një vit pas hapjes, restoranti, ku shërbehen gatime tradicionale shqiptare, mbushet rregullisht me vizitorë vendas dhe të huaj, ndërsa hoteli ka nisur me sukses aktiviteti.
Ahmataj shpreson që edhe banorë të tjerë të zonës të hapin biznese turistike dhe që pushteti vendor të mbështesë më shumë këtë vizion.
Madje, ai tregoi se kishte vendosur vetë disa ndriçues rrugorë me panele diellore.
Ne kishim planifikuar të qëndronim vetëm një natë në “Bujtinën Rragam”. Por, nuk mundëm të largoheshim.
E zgjatëm qëndrimin edhe një ditë tjetër, gjë që na dha mundësinë të shkonim në këmbë deri te restoranti i kushëririt të Ahmatajt, pak më tej, për drekë.
Për rreth 56 dollarë, pimë birra të ftohta “Korça” dhe na sollën një tavolinë të mbushur plot me ushqime: djathëra, turshi, patate të skuqura dhe perime të freskëta, si edhe feta të ëmbla shalqiri dhe kafe ekspres.
Pika kryesore e vaktit ishte një peshk i freskët i kapur në liqen, pikërisht aty ku çdo pasdite bënim notime të gjata.
Dhe ndryshe nga Liqeni i Komos në Itali, aty e kishim gjithçka vetëm për vete.
Një vështrim drejt një të ardhmeje të mbushur me turistë
Rruga prej 186 miljesh (rreth 300 kilometra) nga Shkodra drejt destinacionit tonë bregdetar, ishte pjesërisht autostradë e lehtë, por pjesërisht edhe rrugë malore që të shkaktonin frikë.
Kishim dëgjuar se drejtimi i makinës në Shqipëri, nuk ishte për njerëzit që tremben lehtë.
Ia dolëm të mbërrinim në bregdet dhe vazhduam rrugën drejt Himarës, e cila supozohej të ishte më e qetë sesa disa nga qytetet më të mëdha turistike shqiptare, si Vlora, Durrësi apo Saranda.
Ndërsa udhëtonim në autostradë, deti Jon shkëlqente në horizont.
Por mbi ujërat vezulluese shiheshin edhe vinça dhe kantierë ndërtimi për komplekse të reja banimi, hotele dhe resorte.
Mbërritja në Himarë ishte një ndryshim i madh pas ditëve tona të qeta në Rragam.
Vija bregdetare e qytetit ishte mbuluar me rreshta të rregullt çadrash.
Çdo klub plazhi dukej sikur konkurronte me tjetrin për muzikën më të lartë.
Por, ashtu siç kishte premtuar Instagrami, vetë plazhi dukej si një kopje e përkryer e disa vendeve të Italisë apo Greqisë.
Uji ishte jashtëzakonisht i kthjellët dhe shezlongët ishin të shumtë.
Akomodimet në qytet varionin nga bujtina ekonomike deri te hotele luksoze që kushtonin qindra dollarë për natë.
Ne u akomoduam në një bujtinë në një lagje në kodër, e cila kërkonte një ngjitje të fortë nga rruga kryesore.
Dhoma kushtonte vetëm 69 dollarë nata dhe ndodhej pak minuta në këmbë nga plazhi.
Në perëndim të diellit, bregdeti ishte mbushur me familje, çifte dhe shitës ambulantë.
Turistët mbanin çanta shpine dhe tërhiqnin valixhe me rrota.
Njerëzit dukej se po shijonin kohën e tyre, pavarësisht zhurmës së lokaleve që vendosnin muzikën e tyre.
Për darkë gjetëm një restorant me ushqime deti në qytet, i cili kishte vlerësime pozitive online.
Një vakt për dy persona – për 84 dollarë
Disa miq na kishin rekomanduar plazhin e Livadhit, i cili ishte ende në zonën e Himarës, por thuhej se ishte më pak i zhvilluar sesa vetë qyteti dhe ndodhej vetëm disa kilometra më në veri.
Në Kampingun Moskato, vetëm një parking na ndante nga plazhi.
Paguanim 49 dollarë për të parkuar furgonin tonë nën hijen e një ulliri dhe mund të arrinim në det për më pak se tre minuta në këmbë.
Kampingu kishte dushe të pastra, një lavatriçe dhe një restorant ku mund të pije kafe në mëngjes dhe birrë të ftohtë nga rubineti në një gotë të ngrirë, në mbrëmje.
Pronari i Kampingut Moskato, Vasili Joshi, na tregoi se familja e tij e kishte zotëruar tokën për breza me radhë, por vetëm gjatë dekadës së fundit, kishte nisur ta përdorte atë për qëllime tregtare.
Fillimisht, ata e kishin përdorur si parking për pushuesit që shkonin në plazh.
Në vitin 2015, ai vuri re një rritje të madhe të numrit të vizitorëve dhe vendosi ta zhvillonte më tej hapësirën duke krijuar kampingun.
Hotele të reja ishin ndërtuar rreth kampingut; një hotel luksoz aty pranë kushtonte më shumë se 400 dollarë nata gjatë sezonit të lartë.
Para se të largoheshim, Joshi na dha disa këshilla për udhëtimin dhe na dhuroi një bidon me raki, pijen tradicionale shqiptare, të cilën e kishte përgatitur nëna e tij.
Ne kaluam pasditen duke ecur nëpër shtigje mes plazheve me gurë — njëri prej tyre kërkonte një ecje të lodhshme për t’u arritur, por dukej sikur ndodheshim në një ishull të fshehtë.
Nuk kishte shezlongë komercialë, vetëm një kasolle me një skarë që ofronte edhe kokteje.
Pranë Livadhit, në Restorantin Blue Bay, hëngrëm peshq të vegjël vendas të skuqur; një sallatë me feta portokalli, ullinj dhe qepë të bardhë; makarona me fruta deti dhe një pjatë me barishte të egra të ziera, të quajtura nena.
Së bashku me verën dhe dy kafe ekspres, fatura arriti në 84 dollarë.
Ishte një nga vaktet më të shtrenjta që kishim paguar, por ende shumë më lirë sesa çmimet që kisha hasur në Pulja të Italisë, Majorka të Spanjës apo edhe në Maltë.
Ishte gjithashtu një nga vaktet më të mira të udhëtimit tonë.
Më shumë se një “kopje”
Nga Livadhi u kthyem përsëri drejt zonave të brendshme të vendit, duke kaluar pranë qytetit të Beratit, i njohur për shtëpitë e tij të bardha osmane që shtrihen përgjatë lumit Osum.
Më pas kaluam natën duke bërë kamping në “Alpeta Agrotourism & Winery”, një agroturizëm dhe kantinë vere shumë e bukur në Roshnik.
Pas kësaj, u rikthyem në Tiranë për të dorëzuar furgonin dhe për të kaluar natën në një hotel pranë aeroportit — duke i dhënë fund aventurës sonë ballkanike. Një javë ishte shumë pak.
Nuk arritëm të shkonim te majat më të larta të vendit, në fshatrat më të izoluara, apo edhe te njëri prej dy burimeve të quajtura “Syri i Kaltër” — pishina me ngjyrë si gurët e çmuar, ku uji i akullt del nga shpella aq të thella sa zhytësit ende nuk kanë arritur të gjejnë fundin e tyre.
Ka plazhe mahnitëse ku mund të shkosh vetëm me varkë dhe rrënoja më të vjetra se Roma, të cilat nuk patëm kohë t’i vizitonim.
Kur miqtë na pyesin për udhëtimin tonë në Shqipëri, ne nuk u themi se ishte si Italia apo Greqia.
“Ne u tregojmë për eksperiencën tonë autentike që përjetuam në Bujtinën Rragam.
Për emocionin e zgjimit në një fshat të rrethuar nga male dhe toka bujqësore, për daljet në mëngjes në bar dhe kënaqësinë e një tavolinë të mbushur me djathë të freskët, prodhime nga fermat përreth dhe brumëra të skuqur të butë, të zhytur në mjaltë vendas dhe reçel fiku.
U tregojmë se si përjetuam një nga zhytjet më të paharrueshme të jetës sonë në një liqen që e kishim vetëm për vete.
U tregojmë për momentet kur, gjatë udhëtimit, ndanim rrugën me një bari dhe kopenë e tij të dhive.
Dhe për mahnitjen që ndjemë përballë nuancave të jashtëzakonshme të ujit në plazhin e Livadhit. /ATSH/