Von der Leyen: Evropa nuk është e plotë pa Kosovën

Pas takimit me të parën e shtetit të Kosovës, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se Evropa nuk është e plotë pa Kosovën derisa u zotua se do të ofrojnë mbështetje në rrugën drejt Bashkimin Evropian. Ajo ri-konfirmoi qëndrimin e institucionit të cilin e drejton, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe shtoi se tan po punohet që të bindet vendet anëtare të Këshillit, ku shumica janë në anën e Kosovës.

Në kohën kur të gjitha vendet po përballen me krizë energjetike, presidentja e Komisionit Evropian tha se janë krah Kosovës derisa bëri të ditur se kanë ndarë një grant prej 75 milionë euro.

Von der Leyen: 75 milionë euro mbështetje për Kosovën

“Duhet t’i bashkoheni edhe përpjekjeve për blerje të gazit, duhet të përfitoni edhe nga diskutimet ligjore që do t’i kemi në Bashkimin Evropian në ligje me tavanin për çmimet e gazit pro edhe diskutimet për ndikimet që çmimet e karburanteve e kanë edhe në çmimet e elektricitetit. Po përpiqemi që të mos i lëmë të shkojnë çmimet shumë larg meqë jemi një union energjetik edhe ju do të përfitoni nga kjo. Tani për tani mund të keni nevojë për mbështetje të menjëhershme financiare buxhetore kështu që ne do të ju japim një grant prej 75 milionë euro për të mbështetur menjëherë bizneset dhe ekonomitë familjare të cenueshme dhe do të finalizojmë të gjitha procedurat e nevojshme deri në fund të vitit në mënyrë që të merrni financimin nga janari në buxhetin tuaj. E kemi edhe një investim, me grante, janë 500 milionë për gjithë rajonin ku dëshirojmë të ju mbështesim në rrugëtimin tuaj drejt pavarësisë energjetike dhe sigurimit të furnizimit”, tha presidentja e Komisionit Evropian.

Ajo lavdëroi punën e institucioneve të Kosovës në përpjekje për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin.

Von der Leyen: Evropa nuk është e plotë pa Kosovën

“Vendi i Kosovës është në Bashkim Evropian, jam shumë e bindur për këtë dhe këtë ju po e dëshmoni për çdo ditë, gjithmonë do them që Evropa nuk është e plotë pa Kosovën, kjo është shumë e qartë, dhe me luftën e Rusisë në Ukrainë, marrëdhëniet tona me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor janë gjithnjë e më të forta dhe më të rëndësishme dhe duhet të intensifikohen, siç e thatë edhe ju me të drejtë, është një investim në paqe, stabilitet, prosperitet të kontinentit tonë, kështu që ju sigurojmë që Bashkimi Evropian është i përkushtuar më shumë se kurrë në procesin e zgjerimit dhe do të ju mbështesim aq sa mundemi për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Ndërsa sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është koha që Bashkimi Evropian të ndërmarrë veprime konkrete për të integruar në strukturat evropiane vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor.

Osmani: BE të ndërmarr veprime kornete drejt integrimit të vendeve demokratike të BP në strukturat evropiane

“Besoj që ka ardhur koha tashmë që Bashkimi Evropian të ndërmarrë veprime konkrete drejt integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane, që është parakusht për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin tonë. Kjo është natyrisht për vendet që duan të bëjnë hapa seriozë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. E dimë që jeni plotësisht të përkushtuar për integrimin e rajonit tonë dhe mendoj se vizita juaj është një dëshmi për këtë, megjithatë ne duhet të kërkojmë mbështetje nga të gjitha strukturat e Bashkimit Evropian”, tha presidentja Osmani.

Presidentja Osmani përmendi Kosovën si performuesen më të mirë në rajon gati në çdo indeks demokratik dhe të sundimit të ligjit.

Megjithatë, ajo theksoi se qytetarëve të Kosovës vazhdon t’u mohohet e drejta për të lëvizur pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Osmani: Shpresojmë që padrejtësia për vizat të përfundojë pa kritere të reja teknike

“Realiteti qëndron që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk kanë marrë vendimin Brenda këshillit prandaj shpresojmë shumë që thirrja e Komisionit Evropian të respektohet nga të gjitha shtetet anëtare dhe kjo padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës të përfundojë pa kritere të reja teknike të cilat do ta bllokonin vendimmarrjen politike. Republika e Kosovës është jashtëzakonisht serioze në aspiratat e saj euroatlantike po ashtu është serioze në veprimet që i ndërmerr në këtë drejtim prandaj Kosova është 100% e përafruar me çdo vendim të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes që e merr sa i përket afrimit të saj me Bashkimin Evropian”, tha Osmani.

Për këtë çështje, presidentja e Komisionit Evropian, Ursual von der Leyen tha se janë duke punuar që të bindin Këshillin në mënyrë që kjo temë të adresohet sa më parë në mënyrë siç tha ajo konstruktive.

Ndërsa lidhur me ETIAS, ajo tha se është sistem i pavarur nga ky proces por që është shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian për siç tha ajo transparencën për lëvizje.

Von der Leyen: Do të bëjmë çdo gjë për të ndihmuar Kosovën për të liberalizmin e vizave

“Kemi rikonfirmuar që i keni plotësuar të gjitha kriteret, detyra jonë është tani të bindim tërë Këshillin Evropian, shumica nga ta janë në anën tuaj, është shumë mirë që këto diskutime kanë filluar, kemi punuar me presidencën çeke shumë, kërkohen shumë përpjekje diplomatike dhe sqarime, mirëpo mund të llogarisni në mua personalisht, tek ne në komision, sepse do të bëjmë gjithçka të ju ndihmojmë rrugëtimin tuaj, duke e ditur që po bëni punë mbresëlënëse”, tha ajo.

Presidentja e Komisionet Evropian, pas Kosovës do të vizitojë edhe Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Serbinë dhe Malin E zi.

Ndërsa dje ajo ka qëndruar në Maqedoninë e Veriut në kuadër të turneut të vizitave të saj në Ballkanin Perëndimor. /KosovaPress/

Read Previous

Google dhe Microsoft goditen nga ngadalësimi i shitjeve

Read Next

Megaoperacion ndaj grupit të narkotrafikut në Itali, baza edhe në Shqipëri dhe Brazil