Von Cramon kërkon që pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës të ndalet menjëherë

|Foto: KosovaPress|

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, adresoi një thirrje për Qeverinë e Serbisë që ta ndalë menjëherë diskriminimin sistematik dhe pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Derisa njoftoi për takimin që zhvilloi gjatë ditës me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, eurodeputetja gjermane u kërkoi autoriteteve shtetërore serbe që ta ndalin urgjentisht diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve që janë shumicë në jug të Serbisë.

“Një takim i rëndësishëm me përfaqësuesit politikë të minoritetit shqiptar nga jugu i Serbisë. Diskriminimi sistematik ndaj tyre, përfshirë ‘pasivizimin’ e adresave nga Serbia është e papranueshme dhe duhet ndalur menjëherë!”.

Politika diskriminuese e Serbisë qëndron në faktin se në momentin kur shqiptarëve u pasiviziohet adresa e vendbanimit dhe fshihet nga regjistri civil i shtetit, ai/ajo nuk mund të marrë letërnjoftim të ri ose pasaportë.

E qytetari shqiptar nuk gëzon të drejtën e shërbimeve mjekësore ose asistencës sociale, nuk mund të regjistrojë makinën, nuk mund të blejë apo shesë pronën dhe nuk mund të votojë në zgjedhjet lokale apo qendrore.

Ndryshe, përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar vazhdimisht reciprocitet të të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë, pas pakënaqësive me statusin e tyre në përgjithësi, posaçërisht në Novi Pazar, Tutin e Sjenicë në Sanxhak dhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. /Albanianpost.com

Read Previous

Sonte ndeshja e kthimit, Ylli e pret Pejën në gjysmëfinale

Read Next

Barcelona do të ndërmarrë veprime ligjore për golin fantazmë në “El Clasico”