Dogana e Kosovës zbuloi mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera mbi 10 mijë euro
Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nga kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka krijuar pasiguri të reja në Evropë. Ndërsa blloku i majtë në pushtet është në rënie, sondazhet e fundit tregojnë ngritjen e së djathtës konservatore dhe sovraniste.
Projeksionet e fundit në Spanjë tregojnë se koalicioni i mundshëm mes konservatorëve të Partido Popular (PP) dhe nacionalistëve të Vox-it mund të arrijë deri në 198 mandate—duke e kaluar në mënyrë komode pragun e shumicës absolute prej 176.
PP-ja mbetet subjekti kryesor i qendrës së djathtë. E udhëhequr nga ish-presidenti i rajonit të Galicisë, Alberto Núñez Feijóo, ajo pritet të marrë rreth 32 për qind të votave, por meqenëse nuk mund të qeverisë e vetme, do t’i duhet të kërkojë mbështetjen e Vox-it, e cila pritet t’i marrë 19 për qind. PP dhe Vox qeverisin në katër rajone dhe në mbi 100 komuna, çka e bën të mundshëm bashkëpunimin e tyre në nivel qendror.
Kjo do të shënonte rikthimin e së djathtës radikale në qeveri pas më shumë se pesë dekadash, që nga vdekja e diktatorit spanjoll, Francisco Franco, në vitin 1975.
Sidoqoftë, ndryshe nga qeverisja e majtë e Sánchezit, i cili ka ruajtuar njëfarë pragmatizmi duke njohur pasaportën e Kosovës dhe duke lejuar udhëtimin pa viza të kosovarëve, ardhja e Vox-it në pushtet mund t’i sjellë telashe të reja Kosovës.
Fleksibiliteti i Sánchezit ka qenë rrjedhojë e një përafrimi ideologjik: Lëvizja Vetëvendosje në pushtet në Kosovë gëzon statusin e anëtares në Internacionalen Socialiste—organizatë e majtë globale e udhëhequr pikërisht nga Sánchezi..
Duke qenë një subjekt ultrakonservator e ultranacionalist i ndërtuar mbi mbrojtjen e unitetit spanjoll kundër separatizmit katalanas, ajo e konsideron njohjen e shtetësisë së Kosovës si një precedent të rrezikshëm për integritetin territorial të Spanjës.
Përfaqësuesit e Vox-it kanë votuar kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, kanë bllokuar mocionet për njohje në parlamentin spanjoll dhe kanë kërkuar ndalimin e përdorimit të simboleve të Kosovës në ngjarje politike apo sportive në Spanjë.
Pra, qeveria e ardhshme spanjolle mund të kalojë nga një bllokuese pasive në një bllokuese aktive—duke ngrirë shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE dhe çdo përparim drejt anëtarësimit në NATO. /Albanianpost