Miliona euro humbin çdo vit nga vjedhja e energjisë elektrike në Kosovë, një fenomen që po rëndon xhepat e qytetarëve. Vetëm gjatë vitit 2024, sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), humbjet totale në rrjet arritën në 15.5 për qind, prej të cilave 4.57 për qind janë vjedhje.
Sipas të dhënave financiare, rreth 5% e energjisë së vjedhur, përkthehet në rreth 30 milionë euro. Në total, humbjet teknike dhe komerciale i kushtojnë vendit afër 90 milionë euro në vit, shifër e cila bartet në faturat e konsumatorëve.
Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit për Energji, ka sqaruar se humbjet teknike janë pasojë e infrastrukturës elektroenergjetike, mungesës së investimeve dhe mbingarkesave në rrjet.
“Humbjet teknike janë si pasojë e stabilimentit elektroenergjetike, mungesës së investimeve, mbingarkesave në rrjet, janë dmth të natyrës inxhinierike,”- tha Pepaj.
Sipas Pepajt, humbjet komerciale lidhen me vjedhjen e energjisë dhe manipulimet e njëhesoreve. “Kurse humbjet komerciale janë vjedhjet e energjisë elektrike, manipulimet e njëhesoreve, abuzimet e ndryshme që ndodhin në pikat matëse” – shtoi ai.
Sipas të dhënave të ZRRE-së, në vitin 2024 humbjet totale, teknike dhe komerciale, kanë qenë 15.5%, ku humbjet teknike zënë 10.33%, ndërsa ato komerciale 4.57%. Për vitin 2025, parashikohet një zvogëlim i tyre në 13.3%, ndërsa për vitin 2027, humbjet totale pritet të ulen në 11.1%.
Pepaj theksoi se ZRRE-ja nuk është kurrë e kënaqur me performancën e operatorëve, por krijon infrastrukturë ligjore që t’u mundësojë ndërmarrjeve të arrijnë caqet e vendosura.
“Rregullatori asnjëherë nuk është i kënaqur më performancen që operatoret përformojnë, mirëpo ne krijojmë infrastrukturë të duhur ligjore që ndërmarrjet t’i ndërmarrin veprimet e duhura që t’i përmbushin caqet- tha Pepaj mes tjerash.
Një nga mënyrat për reduktimin e humbjeve është investimi në rrjet dhe vendosja e njëhesoreve inteligjentë, të cilët reduktojnë mundësitë për abuzime. Pepaj shtoi se investimet e miratuara nga ZRRE-ja mbikëqyren, edhe pse në disa zona përballen me pengesa infrastrukturore.
Raportimi bëhet për çdo rajon të Kosovës, ku sipas Pepajt, vjedhja e energjisë është më e lartë në rajonet e Prishtinës, Mitrovicës dhe Pejës. Ai nënvizoi se energjia e vjedhur ka një kosto shumë të lartë financiare, e cila nuk faturohet dhe nuk inkasohet, dhe si rrjedhojë, pësojnë të gjithë konsumatorët. “Vjedhja e energjisë ndikon shumë për shkak se ajo energji nuk faturësohet dhe nuk inkasohet. Ajo pastaj shpërndahet te gjithë konsumatorët, pra të gjithë ne paguajmë energjinë e cila humbet dhe kjo është një kosto e madhe – sqaroi ai.
Ai gjithashtu sqaroi se KEDS-i është përgjegjës për humbjet teknike, ndërsa për humbjet komerciale kërkohet koordinim institucional. “Ne i mbulojmë vetëm ato humbjet që janë të arsyshme dhe të përcaktuara sipas caqeve. Çdo tejkalim i humbjeve është barrë e KEDS-it” – tha Pepaj.
Nga KEDS- i thonë se kanë treguar përkushtim dhe seriozitet për të minimizuar humbjet e energjisë elektrike, por vjedhjet e rrymës mbeten një problem i madh në terren. Kështu theksoi Lulzim Krasniqi, zëdhënës i KEDS-it, duke shtuar se ndërsa investimet dhe kontrollet janë intensifikuar, keqpërdorimet nuk janë eliminuar.
“Unë them se është bërë mjaftueshëm sepse KEDS-i ka treguar përkushtim dhe seriozitet për të investuar që të minimizohen humbjet. Jemi të kënaqur, por jo edhe shumë, sepse akoma ka raste të keqpërdorimit të energjisë elektrike gjithandej në terren,” – tha Krasniqi.
Ai bëri të ditur se që nga janari janë kryer 55 mijë kontrolle, gjatë të cilave janë zbuluar rreth 2,500 persona që keqpërdorën energjinë elektrike, me rajonin e Prishtinës që kryeson listën, pasuar nga Mitrovica dhe Peja. Rajonet e tjera kanë shifra më të ulëta, ndërsa Gjilani është zona ku vjedhja e energjisë është më e rrallë.
Sipas Krasniqit, problemi ka të bëjë edhe me ndërgjegjësimin e qytetarëve: “Ka të bëjë pak me mentalitetin e masës, mund të themi se nuk janë plotësisht të vetëdijesuar.”
Ai sqaroi se çdo qytetar që vjedh energji duhet të paguajë faturën e një viti dhe më pas ndiqet penalisht. “Prej janarit të këtij viti, deri tash i kemi dorëzuar 1,000 kallëzime penale, kurse afro 250 janë zgjidhur në gjykata kompetente. Numri i lëndëve do të rritet dhe, të them të drejtën, po zvarriten paksa, sepse përgjegjësia e KEDS përfundon me dorëzimin e lëndës në gjykatë.” – theksoi Krasniqi.
Krasniqi theksoi se KEDS vepron në dy drejtime paralelisht: investimin në infrastrukturë dhe intensifikimin e kontrolleve kundër keqpërdorimit. “Sidqoftë, ne kemi intensifikuar numrin e kontrolleve, sidomos tash që një numër i madh i bizneseve kanë dalë në treg të lirë, jo vetëm gjatë ditës por edhe gjatë natës. Ne punojmë në dy drejtime që janë dhe shkojnë paralel: investimi në infrastrukturë dhe intensifikimi i kontrolleve për keqpërdorim. Këto janë me çka KEDS-i operon.” – tha zëdhënësi i KEDS-it Lulzim Krasniqi.
Vjedhja e energjisë elektrike dhe humbjet e rrjetit të KEDS-it po ndikojnë drejtpërdrejt në faturat e qytetarëve, duke shkaktuar miliona euro humbje, tha Visar Prebreza, duke analizuar situatën e energjisë në Kosovë.
“Kjo shifër është shumë e madhe, kur e marrim parasysh rritjen e çmimeve që kanë ndodhur në treg të energjisë… e krejt kjo na bën me e kuptu që një pjesë e madhe e krejt problemit që na u ka shkaktu në këto vitet e fundit me shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike ka ardhë ndoshta pse është dashur me i financu këto humbje”- tha Prebreza.
Ai shtoi se niveli i humbjeve, që aktualisht është rreth 14%, është i lartë, veçanërisht duke marrë parasysh premtimet që janë bërë gjatë privatizimit.
“Kur është ba privatizimi narrativa ka qenë se po e privatizojmë sepse kemi humbje të mëdha në rrjet. Përkundër premtimeve, trendi i nivelit të humbjeve ka shkuar më ngadalë se që e kemi pritur dhe më ngadalë se që është premtuar.”- theksoi ai.
Prebreza theksoi se qytetarët e paguajnë direkt koston e vjedhjes së energjisë, që përkthehet në 12–13 euro për familje në vit. “Është alarmante, sepse njerëzit e vjedhin energjinë që ne e paguajmë, e para, e pastaj ne obligohemi që energjinë që vjedhin me importuar me e ble në treg shumë shtrenjtë, dhe pastaj me ia dërgu njerëzve që e vjedhin. Kjo pra është skandaloze.” – tha ai.
Sipas tij, vjedhja e energjisë nuk është përgjegjësi vetëm e KEDS-it, por kërkon koordinim më të madh institucional. Shtoi se Policia dhe gjykatat duhet të jenë më strikte në ndjekjen e rasteve. “Nese një biznes ka ende guxim me vjedh, ai e dinë që rasti shkon në gjykatë, gjykata e zvarrit, nuk shkon askush në burg, nuk i ndodh asgjë biznesit të tij. Kjo është arsyeja që ai e vjedh rrymën.”- vlerësoi Prebreza.
Ai theksoi se KEDS-i duhet të jetë më aktiv në zonat ku shkeljet janë më të mëdha, duke bërë kontrolle më të shpeshta, sidomos ndaj bizneseve të mëdha.
“Sa i përket humbjeve komerciale, KEDS-i duhet të jetë më i zëshëm, nuk mjafton me thanë e nxana hajnin edhe e dërgova në gjykatë. Ne kemi parë punëtorë të KEDS-it që në rajone të ndryshme janë më aktivë, kurse në disa nuk janë, ndoshta nuk guxojnë me shku te bizneset e mëdha.”- përfundoi Prebreza.
Për profesorin e inxhinierisë elektrike, Vezir Rexhepi, humbjet e energjisë elektrike në Kosovë, edhe pse kanë shënuar ulje falë investimeve, mbeten shqetësuese, sidomos ato komerciale.
“Nuk është shifër e kënaqshme sepse ekzistojnë edhe standardet evropiane që e lejojnë brezin e lejuar të natyrshëm të humbjeve teknike, sepse humbjet janë të pashmangshme. Kurse humbjet komerciale mund të eliminohen, nuk janë ende të kënaqshme.”- tha Rexhepi.
Ai theksoi se humbjet teknike minimizohen përmes investimeve në infrastrukturën e transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe përmes mirëmbajtjes së kapaciteteve transformuese. Ndërkohë, humbjet komerciale, që arrijnë rreth 5%, mund të eliminohen vetëm me sisteme matjeje shumë të sakta, monitorim të avancuar dhe angazhim të fuqishëm në terren.
“Ka shumë forma si vidhet rryma, ne si Fakultet ballafaqohemi me ekspertiza të ndryshme në këtë aspekt, kështu që shpesh i ikin sistemit të mbrojtjes dhe e anashkalojnë sistemin e faturimit. Kjo është shumë e rrezikshme dhe shpesh ka djegie të bizneseve dhe shtëpive për shkak të kësaj. Ndodh që një lidhje e shkurtër brenda instalimit shkakton djegie dhe dëme të mëdha materiale, por edhe viktima. – sqaroi profesori universitar.
Rexhepi shtoi se për të minimizuar humbjet, sidomos ato komerciale, ZRRE duhet të vendosë afate kohore për investime dhe të sigurojë një menaxhim të rreptë. “Vite pas vite ka shkuar duke u përmirësuar, por ka shumë punë për t’u bërë.” – tha Vezir Rexhepi, profesor i inxhinierisë elektrike.
Dënimet për vjedhjen e energjisë elektrike mund të shkojnë deri në tri vite burgim. Avokati Qendrim Arifi, tha se KEDS-i duhet të jetë më aktiv në gjurmimin e vjedhjeve.
“Vepra penale e vjedhjes së rrymës… kryesori i kësaj vepre mund të dënohet me gjobë apo burgim deri në 3 vite,” tha Arifi. Ai shtoi se ekzistojnë edhe raste ku dënimi shkon nga 1 deri në 6 muaj, ndërsa për vjedhje të vogla, nën 50 euro, dënimet mund të jenë gjobë ose deri në tre muaj burgimi. Megjithatë, ai vuri në dukje se rastet kaq të vogla shpesh nuk evidentohen.
Arifi nënvizoi se për shumicën e rasteve ku kryerësi kapet në flagrancë, procedura shkon shpejt dhe shpesh rastet përfundojnë me pranim të fajësisë. “Këto raste janë shumë të shpejta për t’u zgjidhur sepse nuk kontestohet kryerja e veprave penale.” – tha ai.
Sipas avokatit, politika ndëshkuese duhet të ashpërsohet, sidomos kur bëhet fjalë për bizneset, ku dënimet aktuale me gjobë shpesh nuk janë të mjaftueshme. “Mos të përfundojë me gjobë, nuk është njëjtë si me i vjedh 100 euro, sikurse me u vjedh 100 mijë euro.” – vlerësoi avokati Arifi.
Nëse futesh në faqen e Këshillin gjyqësorë të Kosovës numri i aktgjykimeve dënuese për ata që kanë vjedhur energjinë elektrike është duke u rritur.
Shembull në një aktgjykim që ka parë KALLXO.com, një qytetarë nga Drenasi është dënuar me 6 muaj burgim me kusht për vjedhje të energjisë. Gjykata përpos që e ka dënuar këtë person dhe e ka obliguar personin të paguajë një shumë prej 129 eurosh për KEDS-in si kompensim për energjinë e vjedhur
Kurse në një aktgjykim tjetër në të cilin pati qasje KALLXO.com, tregohet se një qytetar nga Prizreni është dënuar me 700 euro gjobë për vjedhje të energjisë.
Dënime të ngjashme janë me qindra në databazën e KGJK-së. Humbjet e energjisë janë një çështje që prek të gjithë qytetarët, duke krijuar barrë financiare dhe padrejtësi sociale. Intervistuesit theksuan se investimet dhe kontrollet janë të rëndësishme, por pa ndëshkime të mjaftueshme dhe zbatim të ligjit, fenomeni nuk do të ndalet. /Kallxo.com/