Trump kërcënon BE-në pas gjobës marramendëse ndaj Google

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar Brukselin me kundërmasa pas gjobës së fundit masive të vendosur nga Komisioni Evropian ndaj gjigantit amerikan të teknologjisë Google.

Komisioni Evropian vendosi një gjobë prej 2,95 miliardë eurosh (3,5 miliardë dollarë) ndaj Google për shkelje të rregullave antitrust të BE-së duke shtrembëruar konkurrencën në industrinë e teknologjisë së reklamimit.

Autoriteti i Brukselit deklaroi se Google kishte shkelur rregullat antitrust “duke favorizuar shërbimet e veta të teknologjisë së reklamimit online në dëm të ofruesve konkurrues të shërbimeve të teknologjisë së reklamimit, reklamuesve dhe botuesve online”.

Komisioni urdhëroi Google “t’i japë fund këtyre praktikave të vetë-preferencës”.

Trump shkroi në platformën e tij online Truth Social se ”do të ndihej i detyruar të fillonte një procedurë për tarifa të reja nëse kompanitë amerikane do të vazhdonin të ngarkoheshin”.

“Shumë e padrejtë, dhe Tatimpaguesi Amerikan nuk do ta durojë këtë! Siç e kam thënë më parë, Administrata ime NUK do të lejojë që këto veprime diskriminuese të qëndrojnë”, postoi Trump.

Trump kërcënoi me një hetim bazuar në Seksionin 301 të ligjit tregtar të SHBA-së, i cili parashikon tarifa në përgjigje të praktikave të padrejta tregtare.

“Nuk mund ta lejojmë që kjo t’i ndodhë American Ingenuity-t të shkëlqyer dhe të pashembullt dhe, nëse ndodh, do të detyrohem të filloj një procedurë sipas Seksionit 301 për të anuluar gjobat e padrejta që u ngarkohen këtyre Kompanive Amerikane Tatimpaguese”, shkroi ai. /ATSH-DPA/

Read Previous

Sa para do t’i kursente Juventusi, nëse Motta bëhet trajner i Leverkusenit?

Read Next

Vjedhja e energjisë elektrike për vit llogaritet 30 milionë euro