Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Viti 2026 pritet të shënojë një pikë kthese për mënyrën se si Shqipëria koncepton mbrojtjen dhe rolin e saj strategjik, duke kaluar nga një qasje e bazuar kryesisht në shpenzime dhe blerje, drejt ndërtimit të kapaciteteve afatgjata ushtarake dhe industriale.
Me buxhetin e mbrojtjes që tejkalon për herë të parë pragun 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, standardin e NATO-s për vendet anëtare, qeveria e sheh vitin 2026 si nisjen e një orientimi të ri strategjik me ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në sigurinë kombëtare, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit.
Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama, ku sipas tij, ky nivel shpenzimesh nuk përfaqëson thjesht një shifër më të lartë se pragu i NATO-s, por dëshmon një qasje proaktive ndaj detyrimeve të vendit, jo vetëm në raport me aleatët ndërkombëtarë, por edhe në funksion të zhvillimit të një industrie të re të mbrojtjes në vend.
“Ministri i Mbrojtjes bëri me dije në një konferencë gjatë kësaj jave shumë detaje lidhur me buxhetin e mbrojtjes për vitin 2026, i cili e ka tejkaluar objektivin bazë të shpenzimeve për mbrojtjen, duke shkuar mbi 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pra mbi atë pragun standard të NATO-s, që është edhe pragu standard për të gjitha vendet anëtare”, u shpreh Rama.
Sipas tij, ky nivel i ri shpenzimesh tregon një qasje proaktive edhe në drejtim të ndërtimit të një industrie të re të mbrojtjes, e cila shkon përtej modelit tradicional të blerjeve të pajisjeve nga jashtë.
Buxheti i vitit 2026, për Kreun e Qeverisë, përfaqëson investimin më serioz historikisht në sektorin e mbrojtjes dhe shënon fillimin e një kthese strategjike afatgjatë, që synon ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme ushtarake dhe industriale në vend.
“Është buxheti me investimin më serioz në mbrojtje historikisht dhe këto përmasa financimi, struktura e financimit, flasin për fillimin e një kthese strategjike afatgjatë, që nuk kufizohet më në blerje pajisjesh apo thjesht në modernizim përmes blerjeve, por synon ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme ushtarake dhe industriale këtu në vend dhe kjo qasje lidhet me një bazë vendore të industrisë së mbrojtjes, lidhet me investime në prodhim, jo vetëm për nevojat e brendshme, por edhe për eksport, lidhet me transferim teknologjie dhe mirëmbajtje dhe lidhet në instancë të fundit me atë domosdoshmëri të prekshme, që tanimë mund ta adresojmë, sepse i kemi krijuar mundësitë”.
Në këtë kuadër, ai nënvizoi se Shqipëria ndodhet tashmë në një fazë tjetër zhvillimi, me kapacitete më të mëdha financiare dhe institucionale për të bërë të mundur që sektori i mbrojtjes të mos jetë vetëm një zë shpenzimesh.
“Është një Shqipëri tjetër me fuqi të tjera për të bërë të mundur që në sektorin e mbrojtjes shteti, jo thjesht të shpenzojë, pra, jo vetëm të shpenzojë, por edhe të fitojë dhe duke fituar të riinvestojë”.
“Dhe duke investuar dhe riinvestuar, të rrisë edhe mundësitë për punësim cilësor të mirëpaguar”. /Albanianpost.com