Vërshimet në Kosovë, IHMK njofton se reshje të shiut do të ketë deri të mërkurën

Disa qytete të Kosovës gjatë ditës së diele janë përfshirë nga vërshimet si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Rrafshi i Dukagjinit ishte pjesa më e prekur nga këto vërshime, të cilat shkaktuan dëme në Pejë, Istog e  Klinë. Përpos në këto qytete vërshime kishte edhe në komuna të tjera si Mitrovicë, Gjakovë, Deçan, Malishevë, Vushtrri e Junik.

Mirëpo situatë e qetë me reshjet është paraqitur gjatë ditës së sotme ( e hënë), ku situata po shkon drejt stabilizimit.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Pejës, Gëzim Gashi në një prononcim tha se shiu është ndalë dhe situata po shkon drejt normalizimit, duke shtuar se gjendja më e rënduar vazhdon të mbetet pranë Lumëbardhit.

Gashi tha se deri më tani kanë arritur t’i evidentojnë dëmet dhe të intervenojnë aty ku ka pasur nevojë.

“Ka filluar situata të stabilizohet edhe në komunën e Pejës, kemi arrit me intervenua dhe me i evidentua dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet gjatë ditës së djeshme. Për momentin në Pejë nuk ka shi dhe situata pak më e rënduar është përgjatë Lumëbardhit”, tha ai.

Në anën tjetër Komuna e Vushtrrisë ka mbledhur shtabin emergjentë që të jenë të gatshëm për intervenim edhe pse situata është më e qetë krahasuar me ditën paraprake, kështu tha drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në këtë komunë, Maliq Ferizi.

“Shtabi emergjentë është formuar që të intervenojë menjëherë, ne jemi në gjendje gatishmërie. Nuk ka gjendje emergjentë ne jemi në terren, për momentin gjendja është stabile uji ka depërtuar në oborret e shtëpive por jo edhe në shtëpitë dhe nuk kemi evakuuar ndonjë familje këtu në Vushtrri”, deklaroi Ferizi.

Me vërshime u përball edhe Deçani. Kryetari i kësaj komune Bashkim Ramosaj në një prononcim gjatë të dieles, tha se gjashtë familje kanë kërkuar ndihmë pasi që uji ka depërtuar në shtëpitë e tyre.

Tutje Ramosaj deklaroi se ura në fshatin Vranoc i Vogël është duke u shembur nga vërshimet, mirëpo sipas tij situata më e rënduar është në fshatin Baballoq.

“Situata është goxha e rënduar këtu në komunën e Deçanit. Jemi duke punuar me gjashtë ekskavator nëpër terrene për ta lehtësuar situatën e krijuar si pasojë e vërshimeve. Mirëpo nuk është kjo në dorën tonë. Diku gjashtë familje kanë kërkuar ndihmë pasi uji ka depërtuar në shtëpitë e tyre. Ura në fshatin Vranoc i vogël është duke u shembur pasi ajo urë ka probleme të njëjta sa herë që ka vërshime dhe fshati Baballoq ka më shumë telashe”, tha ai.

Me të njëjtën situatë janë përballur edhe në komunën e Mitrovicës. Kryetari i kësaj komune, Bedri Hamza në një prononcim tha se situata është shqetësuese dhe se te katër lumenjtë e qytetit është rrit niveli i ujit.

“Situata është kogja shqetësuese, Mitrovica ka katër lumenj dhe tek të gjithë është rritë niveli i ujit. Jemi me disa ekipe në terren duke intervenuar, për momentin jemi te lumi i Lushtës pasi që është këputë një urë dhe rrezikon të bllokojë tunelin ku shkon. Jemi duke e bërë maksimumin, por megjithatë niveli i ujit është shumë i lartë”, ka thënë Hamza.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se në kohën kur një pjesë e madhe e vendit po përballet me vërshime, si institucione kanë ndërmarrë masat e nevojshme për evitimin e dëmeve të shkaktuara nga to. Ai ka theksuar se në verën e këtij viti Komuna ka pastruar shtretërit e lumenjve dhe pikat që kanë paraqitur rreziqe.Reklama

“Ndërkohë dje e sot ishim në terren për të ndërmarrë veprime parandaluese që këtë situatë ta kalojmë sa më lehtë dhe me sa më pak dëme. Lus të gjithë qytetarët që për çdo vështirësi të kontaktoni Qendrat Operative Emergjente përmes numrit 112, të cilat janë në gjendje detyre dhe gatishmërie”, ka thënë kryetari Hyseni.

Në anën tjetër Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), deklaroi se edhe për dy ditët e ardhshme do të ketë reshje të shiut, mirëpo nuk do të ketë vërshime.

Sipas Aliut këtë javë nuk pritet të ketë ngrica, mirëpo duke filluar nga java e ardhshme temperaturat do të lëvizin nga minusi.

“Vendi ynë do të vazhdojë të mbetet në kushtet e fushës ciklonike do të thotë edhe gjatë ditës së nesërme do të ketë reshje të shiut, në pjesën e dytë të ditës. Pastaj edhe në ditën e mërkurë do të ketë reshje shiu. Kurse reshjet do të ndërpriten në ditën e enjte. Masat e ajrit do të jenë të ftohta nuk parashihet të kemi minuse gjatë kësaj jave mirëpo gjatë javës së ardhshme do të ketë edhe minus temperatura”.

Aliu tha se gjatë vikendit ishin regjistruar sasi enorme të reshjeve, për muajin në të cilin jemi.

“Sasitë e reshjeve të regjistruara gjatë vikendit ishin enorme për muajin që jemi, sasitë më të larta u regjistruan në Pejë, në Istog, në Gjakovë  në Mitrovicë, në Maliveshvë, në Podujevë, në Leposaviq  dhe në Junik më pak. Sa i përketë vërshimeve do të mbesin këto për momentin kurse situate do të shkojë drejt stabilizimit”, tha ai.

Si pasojë e reshjeve probleme u shkaktuan edhe me furnizimin me ujë.  Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se për shkak të reshjeve atmosferike që kanë turbullirë, Fushë Kosova, Drenasi, Obiliqi dhe një pjesë e lagjes Kalabria do të mbesin pa ujë të pijshëm. “Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditët të fundit, janë rritur edhe rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore dhe pastaj të njëjtat në disa raste kanë përfunduar te kanali i Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për t’u trajtuar pastaj për pije (ITU Shkabaj)”, njofton kompania, përcjell Telegrafi. /Telegrafi/

Read Previous

​Formacionet zyrtare të ndeshjes Angli-Iran

Read Next

Ministria e Ekonomisë: Humbjet komerciale gjatë vjeshtës dhe dimrit mund t’i kushtojë vendit mbi 100 milionë euro