Ulutas falënderon Irlandën për kontributin në KFOR

Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Irlandës, Sean Clancy, vizitoi të mërkurën kampin e Forcës së NATO-s (KFOR) në Prishtinë, ku takoi komandantin turk të KFOR-it, Ozkan Ulutas, me të cilin diskutoi për situatën e sigurisë dhe kontributin e palëkundur të forcave irlandeze në KFOR.

Në vizitën e zhvilluar në Camp Film City në kryeqytet, pjesëmarrëse ishte edhe Sekretarja e Përgjithshme e Departamentit të Mbrojtjes së Irlandës, Jacqui McCrum, njoftoi misioni nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten. “Gjatë takimit, komandanti i KFOR-it shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e patundur të Irlandës në misionin e KFOR-it”.

Nga data 10 deri më 11 janar 2024, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë edhe Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, i cili do të takohet me krerët institucionalë të vendit, ku në fokus të takimeve pritet të jetë thellimi i bashkëpunimit midis Kosovës dhe Irlandës.

NATO-ja ka shtuar numrin e ushtarëve në Kosovë. Rreth 1000 ushtarë në kaudër të KFOR-it kanë zbarkuar në vend, përfshirë 200 ushtarë britanikë – prezenca më e madhe e NATO-s në dhjetë vitet e fundit – kryesisht për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë dhe cenimit të paqes e sigurisë në rajon.

/albanianpost/

Read Previous

Çka ndërmori komuna e Gjakovës për pronën e uzurpuar në fshatin Damjan?

Read Next

Banka Botërore: Ekonomia shqiptare do të rritet me 3.2 %