Turqia mposht SHBA-në, por eliminohet nga Kupa e Botës

Turqia ka regjistruar një fitore të papritur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke triumfuar 3-2 në ndeshjen e fundit të Grupit D të Kupës së Botës FIFA 2026, e zhvilluar në stadiumin e Los Angelesit në SHBA.

SHBA-të e nisën fuqishëm takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e 3-të, kur Auston Trusty shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen turke dhe e dërgoi topin në rrjetë përmes shtyllës së afërt, duke mposhtur portierin Uğurcan Çakır.

Reagimi i Turqisë erdhi shpejt. Barış Alper Yılmaz depërtoi në mbrojtjen amerikane dhe e shërbeu Arda Güler, i cili shënoi në minutën e 10-të, duke realizuar golin e parë të tij dhe të Turqisë në këtë Botëror. Ky ishte gjithashtu goli i parë i Turqisë në Kupën e Botës pas 24 vitesh, që nga realizimi i İlhan Mansız në vitin 2002.

Turqia përmbysi rezultatin në minutën e 31-të, kur Orkun Kökçü përfitoi nga një aksion i rrjedhshëm dhe shënoi për epërsinë 2-1.

Në pjesën e dytë, SHBA-të u rikthyen në lojë në minutën e 49-të. Pas një krosimi në zonë dhe një mosreagimi të plotë të mbrojtjes turke, Sebastian Berhalter goditi saktë dhe barazoi shifrat 2-2, duke shënuar golin e tij të parë ndërkombëtar.

Kur ndeshja po i afrohej fundit, Turqia arriti të sigurojë fitoren në minutën e 90+8-të me Kaan Ayhan, i cili realizoi nga afërsia për rezultatin përfundimtar 3-2.

Me këtë rezultat, SHBA-të e mbyllën Grupin D në vendin e parë dhe siguruan kualifikimin në fazën e eliminimit direkt, ku do të përballen me Bosnjën dhe Hercegovinën. Turqia përfundoi e fundit në grup dhe u eliminua nga turneu.

/GazetaSinjali/

Read Previous

FIFA nuk fal! Vjen dënimi i ashpër për futbollistin që i theu këmbën yllit të Kanadasë

Read Next

Një dekadë pas BREXIT-it, kryeministri i ri britanik dhe sfidat në raport me BE-në