Trump ul flamujt amerikanë në gjysmë shtizë për një javë në nderim të Dolly Parton

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar që flamujt amerikanë të valëviten në gjysmë shtizë në të gjithë vendin për një javë, në nderim të legjendës së muzikës country, Dolly Parton, e cila ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare.

Sipas shpalljes së Shtëpisë së Bardhë, flamujt do të qëndrojnë në gjysmë shtizë nga 25 gushti deri në perëndim të diellit më 1 shtator 2026. Urdhri vlen për Shtëpinë e Bardhë, ndërtesat dhe hapësirat publike, bazat ushtarake, anijet e Marinës amerikane, si dhe për përfaqësitë diplomatike të SHBA-së jashtë vendit.

Trump e përkujtoi Parton përmes një mesazhi në rrjetin e tij social Truth Social, duke e cilësuar atë si “një nga këngëtaret më të mëdha country” dhe duke thënë se vdekja e saj është “një humbje e vërtetë për miliona njerëz”.

“Nuk ka pasur kurrë askënd si ajo dhe nuk do të ketë kurrë më”, shkroi presidenti amerikan.

Dolly Parton ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare

Dolly Parton, një prej figurave më të rëndësishme të muzikës amerikane, ndërroi jetë më 25 gusht, në moshën 80-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga nipi i saj, Bryan Seaver, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, sipas një kërkese që këngëtarja ia kishte bërë vite më parë.

“Ky njoftim me video është diçka që Dolly ma kërkoi vite më parë”, tha Seaver, i cili kishte shërbyer për më shumë se dy dekada si kreu i sigurisë së saj.

Sipas ekipit të saj, Parton u nda nga jeta në Qendrën Vanderbilt-Ingram të Kancerit në Nashville, pas një beteje të shkurtër me kancerin, e rrethuar nga familjarët e saj.

Një karrierë që zgjati gjashtë dekada

E lindur në vitin 1946 në Tennessee, Dolly Parton u shndërrua nga një vajzë e rritur në varfëri në një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës amerikane.

Ajo la pas një repertor të jashtëzakonshëm, me këngë që u kthyen në klasike të muzikës botërore, ndër to “Jolene”, “9 to 5” dhe “I Will Always Love You”. Kjo e fundit fitoi një jetë të re ndërkombëtare përmes versionit të Whitney Houston.

Përtej muzikës, Parton ishte edhe aktore, sipërmarrëse dhe filantrope. Ajo themeloi Imagination Library, programin që u ka ofruar fëmijëve miliona libra falas, ndërsa krijoi edhe parkun tematik Dollywood në Tennessee.

Me dhjetëra vite në skenë, Parton u bë një figurë që kapërceu kufijtë e muzikës country, duke u kthyer në një simbol të kulturës amerikane dhe në një prej artisteve më të dashura nga disa breza.

Vdekja e saj ka shkaktuar reagime të shumta në Shtetet e Bashkuara, ndërsa vendimi i presidentit Trump për të ulur flamujt në gjysmë shtizë e shndërroi ndarjen e saj nga jeta në një homazh me përmasa kombëtare./KultPlus.com

Read Previous

Kurti: SERPENTINE 2026 hap një kapitull të ri për artin dhe kulturën në Kosovë

Read Next

Samsung publikon beta-n e gjashtë të One UI 9 për serinë Galaxy S26