Trajneri Nevil Dede, foli për përfundimin e ëndrrës shqiptare për Kampionatin Botëror të Futbollit.
“Vajtëm deri atje ku s’kishim qenë më parë”, u shpreh Dede për ndeshjen e mbrëmshme me Poloninë, e vlefshme për “play off”-in e Botërorit. Për këtë humbje, ai tha se nuk ishte mirë që t’i faturohet emrave të përveçëm.
Megjithatë gjatë intervistës me gazetarin Besard Jacaj në hapësirën informative “Përballë Lajmit“, nuk i kurseu kritikat ndaj lojtarit të kombëtares Armando Broja, talent që e ka zbuluar ai vetë.
Pjesë nga biseda:
Besard Jacaj: Zoti Dede, ka bërë shumë bujë, ndoshta nuk është fjala e duhur, por u shpërnda shumë ditën e djeshme, fakti që ju treguat episodin se si kishit zbuluar Armando Brojën dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm. Talent që hajde ta diskutojmë se sa i ka shërbyer kombëtares…
Nevil Dede: Ishte atëhere, tani ne nuk e dimë a është talent më.
Besard Jacaj: Po si nuk e dimë?! Kjo është deklaratë shumë e fortë z.Dede. Ai është aktivizuar. Kam përshtypjen se ju keni mundësi ta kuptoni nëse dikush është apo jo më talent.
Nevil Dede: Batuta që përdora.. Kombëtarja shqiptare që unë drejtoja, zbuluam një lojtar me cilësi të tilla, perspektiva… ai quhej i talentuar atëhere. Tani ai është 25 vjeç, nuk mund të themi që është talent. Ai është lojtar i madh, luan për ekipe të mëdha, duhet të shprehë gjithë atë talent që ka patur në disponim.
Besard Jacaj: Jeni i kënaqur, i ka përmbushur pritshmëritë që ju keni patur atëhere, kur zbuluat një talent të tillë?
Nevil Dede: Besoj se nuk ka dhënë as 30% të kapacitetit që ka.
Besard Jacaj: Arsyet janë për shkak të dëmtimeve?
Nevil Dede: Dëmtimet dhe papjekuria e tij me thënë të vërtetën.
Pas gjithë këtyre fjalëve, trajneri shtoi se për sa kohë Brojën vazhdojnë ta kërkojnë në Premier Ligë, atëhere ende “shqiptarët duhet të besojnë që do vijë dita që ai do shpërblejë gjithë atë të mirë që Shqipëria i ka bërë atij”.
Ky diskutim vjen pasi mbrëmjen e kaluar, humbja minimale 2–1 kundër Polonisë i dha fund ëndrrës së Shqipërisë për Botërorin e 2026-ës.
Një ditë më pas, kombëtarja shqiptare ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore në Varshavë, për t’u përgatitur për ndeshjen me Ukrainën. /tvklan.al