Thuajse 1 milion turistë vetëm në dy muaj, Shqipëria po përjeton shpërthimin e radhës turistik

Kanë qenë në tërësi 970 mijë e 138, shtetasit e huaj, të cilët kanë vizituar vetëm në dy muajt e parë të vitit Shqipërinë.

Një rritje kjo me mbi 40%, kur në të njëjtën periudhë të një viti më parë, të huajt që kishin vizituar Shqipërinë ishin 686 mijë.

Instituti i Statistikave (INSTAT) ka publikuar shifrat mujore të radhës sa i takon turizmit dhe vetëm në shkurt, ka pasur një rritje prej 55.4% të pushuesve të huaj, krahasimisht me shkurtin 2023. Numri i tyre në tërësi ka qenë 480 mijë.

Shkurti nuk njihet si një muaj tepër i favorshëm turistik, por sa duket, Shqipëria po tregon një ecuri të hekurt në këtë aspekt.

Mjafton të shihet se ndryshimi vjetor për dy muajt e parë të vitit është në termat e 41.3%.

Nëse një ritëm i tillë mbahet në këtë formë, atëherë është e kuptueshme se nga 10 milionë turistë të huaj gjatë vitit të shkuar, ky vit mund të rezervojë edhe shifrën prej 14 milionë turistësh në gjithë vitin.

Janë kryesisht evropianët, ata të cilët zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë, mbi të gjitha ata nga Evropa jugore.

Pjesa më e madhe vijnë për arsye personale, si pushimet, apo vizitat tek të afërmit. Më pak për qëllime shëndetësore dhe fetare. Por, së fundmi, është shtuar edhe numri i atyre, të cilët janë udhëtarë tranzitorë.

Gjë kjo, që tregon se ata kanë zgjedhur aeroportin e Rinasit si portë e tyre për të shkuar drejt një vendi tjetër, duke parë edhe çmimet e favorshme, apo vendmbërritjet e shumta që Rinasi ka ofruar në vitet e fundit, duke u bërë edhe aeroporti më i frekuentuar në Ballkan dhe duke lënë pas atë të Beogradit.

Ajo çfarë bie në sy ndërkaq, është se edhe shqiptarët, kanë filluar të udhëtojnë më shumë drejt Shqipërisë dhe nga Shqipëria, ku mbi 500 mijë persona shqiptarë kanë hyrë në vend gjatë janarit dhe shkurtit, duke vërtetuar se po shtohen edhe udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit./Albanianpost.com

Read Previous

17 vite që kur Ahtisaari dorëzoi raportin për pavarësinë e Kosovës

Read Next

Sot fillon punimet takimi i 11-të i KPSA BE-Kosovë