U caktohet nga një muaj paraburgim katër të arrestuarve në rastin e Arlinda Zekajt
Një stuhi e fuqishme që po i afrohet bregut lindor të Shteteve të Bashkuara kërcënon të prishë festimet tradicionale të Ditës së Falënderimeve në New York.
Erërat e forta mund të detyrojnë organizatorët të ndalojnë fluturimin e balonave gjigante të paradës së famshme të Macy’s, e cila këtë vit shënon edicionin e saj të 100-të. Nëse kushtet atmosferike përkeqësohen, ngjarja mund të përballet me një situatë të pazakontë, pasi nuk është anuluar që nga ndërprerja gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA ka lëshuar një paralajmërim për erëra të forta në qytetin e New York-ut, Long Island dhe në verilindje të New Yersey-it. Paralajmërimi hyn në fuqi të enjten në orën 10:00 me orën lokale dhe do të mbetet në fuqi deri në orën 01:00 të së premtes. Sipas parashikimeve, shpejtësia e erës mund të arrijë deri në 97 kilometra në orë, megjithëse intensiteti më i madh pritet në mbrëmje, pasi parada të ketë përfunduar.
Rreziku kryesor lidhet me balonat gjigante shumëngjyrëshe, të cilat janë kthyer në simbolin e kësaj parade. Sipas rregullave të qytetit, balonat me përmasa të mëdha nuk lejohen të ngrihen në ajër, nëse erërat kalojnë 37 kilometra në orë.
Parada e Macy’s pritet të nisë të enjten në orën 08:30 dhe të përfundojë rreth mesditës. Përveç balonave gjigante, në rrugët e New York-ut do të parakalojnë banda muzikore, artistë të rrugës dhe platforma të dekoruara. Megjithatë, moti i keq mund të ndikojë në të gjithë organizimin, duke rrezikuar një prej traditave më të njohura të festimeve amerikane.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që era e fortë ndikon në praninë e balonave. Në vitin 1997, shpejtësitë rekord të erës bënë që ato të mos lejoheshin të fluturonin, por organizatorët gjetën një zgjidhje, duke i lidhur balonat gjigante me mjete të vogla transporti. Ndërsa në vitin 1989, një stuhi e madhe dëbore pengoi personat përgjegjës për balonat të mbërrinin në itinerarin e paradës, ndaj ekipet e vallëzimit dhe tifozët morën përsipër t’i tërhiqnin ato.
Stuhia që po i afrohet New York-ut është formuar nga një sistem reshjesh dhe stuhish që u zhvillua në Gjirin e Meksikës dhe më pas nisi të lëvizë drejt veriut, përgjatë bregut lindor. Meteorologët e cilësojnë atë si një stuhi të tipit Nor’easter, e cila karakterizohet nga erëra të fuqishme verilindore dhe mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme në zonat bregdetare.
Përveç erërave, parashikohen edhe reshje të dendura shiu, me sasi që mund të arrijnë deri në 75 milimetra. Situata mund të përkeqësohet nga baticat e larta të së enjtes në mbrëmje, duke rritur rrezikun e përmbytjeve përgjatë vijës bregdetare. Valët e mëdha dhe niveli i lartë i detit mund të shkaktojnë gjithashtu erozion dhe dëmtime në zonat pranë bregut.
Probleme nga moti i keq priten edhe në pjesë të tjera të SHBA-ve. Zonat lindore do të përballen me reshje të dendura dhe erëra të forta, ndërsa në disa rajone të brendshme parashikohet dëborë. Edhe pjesa perëndimore e vendit ka përjetuar vështirësi në qarkullim për shkak të stuhive në Paqësor dhe përmbytjeve bregdetare, duke e bërë udhëtimin gjatë festave të ‘Thanksgiving’ më të vështirë për mijëra amerikanë.
Si lindi parada 100-vjeçare e Macy’s?
Parada u organizua për herë të parë më 1924, nën emrin Macy’s Christmas Parade, nga punonjësit e dyqanit të madh Macy’s në New York. Qëllimi fillestar ishte të tërhiqte më shumë blerës gjatë sezonit të festave të fundvitit. Me kalimin e viteve, aktiviteti u shndërrua në një traditë të rëndësishme për amerikanët dhe në një spektakël që ndiqet nga miliona njerëz.
Parada u ndërpre vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1942 deri në vitin 1944, për shkak të rrethanave të luftës. Rikthimi i saj e bëri aktivitetin një traditë të pandërprerë për dekada, ndërsa edicioni i këtij viti shënon 100-vjetorin e organizimit të parë.


