Teleskopi gjerman që Rusia kërkon të “sekuestrojë”

Rusia dëshiron të rivendosë në punë në mënyrë të njëanshme një teleskop satelitor gjerman, të montuar në një anije kozmike ruse. Bëhet fjalë për teleskopin eROSITA, i cili punoi në bashkëpunim me rusin ART-XC për të skanuar galaktikat derisa, pas pushtimit të Ukrainës, Berlini vendosi të pezullojë aktivitetin e teleskopit.

“Kam dhënë udhëzime për të filluar punën për rivendosjen e funksionimit të teleskopit gjerman në sistemin Spektr-RG, në mënyrë që ai të funksionojë së bashku me teleskopin rus”, shpjegoi këtë të shtunë Dmitry Rogozin, drejtor i agjencisë ruse hapësinore Roscosmos.

“Pavarësisht kërkesës së Gjermanisë për të mbyllur një nga dy teleskopët në Spektr-RG, specialistët rusë këmbëngulin të vazhdojnë punën e tyre. Roscosmos do të marrë vendime përkatëse në të ardhmen e afërt. Ata, njerëzit që morën vendimin për të mbyllur teleskopin, nuk kanë të drejtë morale të ndalojnë këtë kërkim për njerëzimin vetëm sepse pikëpamjet e tyre profashiste janë të njëjta me ato të armiqve tanë”, shtoi Rogozin.

Por, vetë ekspertët nuk e shohin rifillimin e punës së këtij teleskopi me sy të mirë. Drejtori i projektit Spekr-RG shpjegoi se nëse synohet rifillimi i teleskopit, është i nevojshëm pëlqimi i Gjermanisë. Përndryshe, pajisja mund të ketë probleme. Roscosmos lançoi eROSITA më 13 korrik 2019, nga Kazakistani. Ndër funksionet e tjera, teleskopi synon të zbulojë vrimat e zeza në galaktikat e afërta. “Kjo është një pajisje e mrekullueshme, e klasit botëror, që tashmë ka ofruar shumë të dhëna”, shpjegon Rashid Sunyaev, mbikëqyrës i projektit./A2news/

Read Previous

Rriten për rreth 15% importet e naftës në Gjermani por dyfishohet fatura

Read Next

Moti për 7 ditë, ja kur parashihen reshje shiu