Të enjten mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi që të enjten Kuvendi do të mblidhet në seancë të re plenare, raporton gazeta Sinjali.

Një njoftimin e Kuvendit thuhet se kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me përfaqësues të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca.

Seanca e të enjtes do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, për të vijuar me pyetjet parlamentare.

Sipas njoftimit thuhet se seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e parë të Projektligjit për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, Projektligjit për Anti dopingun dhe atij për edukimin në fëmijërinë e hershme.

Në këtë seancë pritet edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Pas përfundimit të seancës së re, Kuvendi do t’u rikthehet shqyrtimit të pikave nga seancat e papërfunduara.

Në mbledhjen e sotme Kryesia, konform përgjegjësive të saj shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kuvendit./Sinjali/

Read Previous

Kjo është skuadra evropiane që po ia hap dyert Shaqirit

Read Next

Prodhimi në Eurozonë në nivelin më të ulët në dy vitet e fundit