Sulmohet baza kryesore e të dhënave kriminale në SHBA, FBI nis hetimet

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka nisur hetimet për një sulm të dyshuar kibernetik ndaj një prej sistemeve më të rëndësishme të të dhënave të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara.

Sipas raportimit të agjencisë “Associated Press”, që i referohet një burimi të njohur me çështjen, objektiv i sulmit të mundshëm është Qendra Kombëtare e Informacionit për Krimin (NCIC), sistem i administruar nga FBI-ja.

Kjo bazë e të dhënave përdoret nga agjencitë lokale, shtetërore dhe federale të sigurisë, duke përmbajtur informacione të rëndësishme për personat e arratisur, personat e zhdukur, historikun kriminal, pronat e vjedhura dhe çështje të tjera të drejtësisë penale.

Deri më tani, FBI-ja nuk ka dhënë një koment zyrtar për incidentin, ndërsa mbetet e paqartë shkalla e sulmit dhe nëse janë komprometuar të dhënat e ruajtura në këtë sistem.

Presidenti amerikan, Donald Trump, është pyetur për këtë çështje gjatë një interviste për “Fox News Channel”, të shtunën, ku e ka cilësuar situatën shqetësuese.

“Sapo dëgjuam për këtë dhe do të them se nuk është mirë”, ka deklaruar Trump.

Ky incident i dyshuar vjen në një kohë kur institucionet amerikane janë përballur me disa raste të ndërhyrjeve dhe ndërprerjeve në sistemet digjitale. Megjithatë, zyrtarët e administratës Trump kanë deklaruar më herët se disa nga ndërprerjet e sistemeve qeveritare lidhen me përditësime dhe rregullime teknike.

FBI-ja ka qenë edhe më parë objektiv i sulmeve kibernetike. Në shtator, agjencia konfirmoi se po hetonte një sulm ndaj portalit të saj të punësimit, pasi grupi i hakerëve “ShinyHunters” pretendoi se kishte vjedhur të dhëna të punonjësve dhe aplikantëve.

Ndërsa në mars, FBI-ja kishte zbuluar gjithashtu aktivitete të dyshimta në një sistem të brendshëm që përmbante informacione të ndjeshme lidhur me operacionet dhe hetimet e mbikëqyrjes.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Sot në Llapushnik zbulohen bustet e Skënderbeut, Adem Jasharit dhe Pjetër Bogdanit

Read Next

Rama uron Ditën e Alfabetit: Gjuha shqipe, kujtesa jonë kombëtare