Dënimi i dytë ndaj Thaçit: Baraliu i ashpër ndaj Gjykatës Speciale
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës që dakordimin për nismën e re ligjore lidhur me Dhomat e Specializuara ta shndërrojnë sa më shpejt në veprime konkrete, duke theksuar se Kosova tashmë është vonuar në këtë proces.
Në emisionin “Intervista e javës” në KosovaPress, Baraliu e ka mirëpritur pajtimin ndërmjet dy partive kryesore parlamentare për trajtimin e kësaj çështjeje, por ka kërkuar që puna në grupin punues tani të zhvillohet me urgjencë, pa zvarritje dhe me përfshirjen e ekspertëve juridikë, diplomacisë dhe institucioneve të vendit.
Sipas tij, është e rëndësishme që ndryshimet ligjore të mos mbeten vetëm në nivel formal, por të prodhojnë efekte konkrete juridike, veçanërisht në kufizimin e mandatit të Speciales, si dhe në raport me mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e dytë të apelit në Hagë.
Dakordimi LVV-PDK për ligjin e ri për specialen, Baraliu ka një kërkesë ndaj dy partive
“Diçka që ishte dashur të ndodhë më herët dhe të mos ketë zvarritje në aspektin kohor, pasi jemi të vonuar dhe mund të jemi edhe më tepër. Është mirë që dy partitë kryesore parlamentare janë në dakordancë të plotë me njëra-tjetrën që të trajtohet kjo çështje. Pa marrë parasysh shkelje apo jo gjatë procedurës, në mënyrë që të shkohet sa më parë me miratimin e këtij ligji, plotësim-ndryshimin e dytë të ligjit, për ta bërë sa më integrues dhe më efektiv në kuptimin juridik që të ketë efekte juridike. Të veprohet dhe të mos vonohemi nga grupi punues dhe ekspertët, diplomacia jonë dhe i gjithë shteti, që të ndihmohet mbrojtja e katërshes në Hagë në shkallën e dytë të apelit”, tha ai.
Duke folur për përmbajtjen e nismës së re legjislative, Baraliu ka theksuar se ajo duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke veçuar nenin 162, paragrafin 3, dhe Amendamentin 24 të Kushtetutës.
Ai ka vlerësuar se versioni i parë i projektligjit kishte mangësi serioze kushtetuese dhe ka kërkuar që grupi punues të ketë kujdes të veçantë gjatë rishikimit dhe ripërpunimit të tij.
Baraliu ka nënvizuar se efektet juridike të nismës së re do të varen pikërisht nga përmbajtja përfundimtare e projektligjit dhe nga mënyra se si ai do të harmonizohet me dispozitat kushtetuese dhe mekanizmat përkatës të Dhomave të Specializuara.
Ligji për Specialen, ky do të jetë efekti juridik i nismës së re legjislative
“Për efektin që do të ketë, varet nga përmbajtja që do të ketë në rishikimin dhe ripërpunimin e këtij projektligji nga grupi punues dhe Kuvendi. Çfarë duhet të jetë? Ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, më saktësisht me nenin 162, paragrafin 3 të saj dhe Amendamentin 24 të Kushtetutës. Do të duhej të ishte në përputhje edhe me kërkesat apo dispozitat e saj që quhet Dhoma Kushtetuese brenda Dhomës Speciale… Prandaj duhet pasur kujdes, se versioni i parë thjesht ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën tonë dhe në kundërshtim me Dhomën Kushtetuese atje”, theksoi Baraliu.
Në anën tjetër, Baraliu ka kërkuar angazhim të shtuar të institucioneve të Kosovës, duke theksuar se në këtë proces nuk ka kohë për strategji të gjata, por nevojiten veprime konkrete dhe urgjente.
Ai ka vënë në pah rolin e grupit punues, ekspertëve dhe diplomacisë kosovare, duke kërkuar që projektligji të jetë bindës edhe për Bashkimin Evropian dhe të mundësojë efekte juridike e politike.
Sipas tij, çdo minutë është e rëndësishme duke pasur parasysh proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë dhe rëndësinë e mbështetjes së mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit.
Strategjia për ish-krerët e UÇK-së duhet ta ketë këtë fokus, sipas Baraliut
“Duke qenë se kryesuesi i këtij grupi është strategjik, por nuk ka kohë për strategji, duhet bërë veprime konkrete dhe urgjente. Çdo sekondë dhe minutë është e vlefshme, pasi ka rëndësi që ai është kryediplomat dhe zëvendëskryeministër. Do të duhej të punonin ditë e natë dhe ta bënin një projektligj për ndryshim-plotësim ose nga zero të bënin një të tillë adekuat dhe bindës për BE-në. Të ketë efekte politike dhe juridike, mundësisht”, potencoi Baraliu.
Baraliu ka komentuar edhe dënimin e dytë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi për pengim të drejtësisë, duke shprehur kritika ndaj Gjykatës Speciale dhe mënyrës së trajtimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Ai e ka cilësuar vendimin si vazhdimësi të qasjes së mëparshme të gjykatës, ndërsa ka kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, është kualifikuar veprimtaria e ish-krerëve të UÇK-së.
Baraliu ka deklaruar se vlerësimet e tilla nuk prekin vetëm individët e akuzuar, por edhe Kosovën dhe themelet e shtetësisë së saj.
Dënimi i dytë ndaj Thaçit: Baraliu i ashpër ndaj Gjykatës Speciale
“Fatkeqësisht, si vazhdimësi e atij të parit, por me elemente dhe premisa për të lënë një përshtypje që këta janë më të butë pas protestave dhe reagimit të institucioneve tona dhe të popullit. Ajo që ata e kanë bërë në shkallën e parë dhe e kanë kualifikuar veprimtarinë e katërshes si veprimtari kriminale dhe organizim kriminal. Ajo nuk është akuzë dhe dënim ndaj atyre, por edhe ndaj Kosovës dhe themeleve të shtetit. Vetë fakti që kanë paralajmëruar gjashtë vjet për Thaçin dhe i dhanë 17 muaj, ndërsa të tjerëve më pak, tregon se ka ndikuar dhe ka pasur efekt pozitiv revolta popullore. Pasi ata, në emër të popullit, e morën atë vendim drastik”, përfundoi ai. /KosovaPress/