Spanjë, rrezikohet të mbahet Kupa e Botës 2030

Kupa e Botës 2030 që Spanja do të presë me Marokun dhe Portugalinë është tashmë në rrezik pas operacionit policor që u zhvillua në selinë e Federatës së Futbollit dhe pati shtatë arrestime, përfshirë drejtues të organizatës. Këtë e raportuan mediat iberike, duke kujtuar se kandidatura mesdhetare për organizimin e Kupës së Botës duhet të ratifikohet në dhjetor 2024.

Sipas asaj që raporton gazeta prestigjoze spanjolle “Marca”, një alarm i vërtetë është shkaktuar në botën e futbollit përballë “spektaklit” të ndodhur dje.

Spanja është një nga federatat më të rëndësishme të UEFA-s dhe FIFA-s dhe ajo që ndodhi mëngjesin e së mërkurës ka dëmtuar rëndë reputacionin e një Federate që duhet të kishte nisur një rrugë të re sot.

FIFA ka qenë tashmë institucioni i parë që ka reaguar për atë që ndodhi pas finales së Kupës së Botës për femra, duke sanksionuar presidentin e Federatës së Futbollit Luis Rubiales për puthjen jo konsensuale me futbollisten Jenni Hermoso dhe duke e ndaluar atë nga çdo rol në futboll.

Tani është çështje pritjeje, me vëmendje maksimale për atë që po ndodh. Nga Zyrihu besojnë se është koha për polici dhe hetime, por ajo që ka ndodhur nuk do të kalojë pa u vënë re.

Kur zyrtarë të shoqatave të tjera janë arrestuar ose vënë nën hetim, si UEFA ashtu edhe FIFA kanë reaguar. Çështja është se Rubiales, një nga personat e përfshirë drejtpërdrejt në këtë aferë, tashmë është sanksionuar.

Vendimet që do të merren në ditët në vijim do të jenë vendimtare që organet drejtuese të botës së futbollit të ndërhyjnë drejtpërdrejt apo tërthorazi.

Për më tepër, siç u përmend më parë, nuk duhet të harrojmë se asambleja e FIFA-s në dhjetor do të duhet të ratifikojë kandidaturën spanjolle, marokene dhe portugeze për Botërorin 2030 dhe kjo që po ndodh po na bën të humbasim mbështetjen, thotë “Marca”.

Është e vërtetë që nuk ka konkurrentë në këtë garë, por Spanja do të duhet të shpjegojë shumë mirë gjithçka që ka ndodhur për të shmangur edhe dyshimin më të vogël dhe për të ecur përpara me projektin./Albanianpost.com/

Read Previous

Shefi i OBSh-së bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza

Read Next

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit se përfitoi rreth dy milionë euro përmes mashtrimit