Si u fotografuan mrekullitë përreth Antarktidës?

Edwardsiella andrillae është një nga krijesat më të mrekullueshme të planetit.

Ndryshe nga anemonat e tjera të detit që banojnë në fundin e oqeanit, kjo specie e zbuluar së fundmi lulëzon duke u ngulitur në akull.

Megjithatë mbetet mister.

Fotografia e realizuar nga Laurent Ballesta është imazhi i parë i detajuar i species dhe është një nga seritë që ka fituar çmimin në konkursin Wildlife Photographer of the Year, i cili do të zbulohet këtë javë në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër.

“Rrallëherë është mbledhur një kuti e tillë xhevahiresh me imazhe së bashku, dhe të gjitha nën akullin në Antarktidë”, ka thënë Roz Kidman Cox, kryetare e trupit gjykues.

“Pasuria, shumëllojshmëria dhe aftësia teknike e këtij portofoli nënujor është e jashtëzakonshme”, ka shtuar ajo.

Ballesta, si një fotograf me përvojë, ka kaluar dy vjet duke planifikuar ekspeditën e tij në Antarktidë.

Në total, ai bëri 32 zhytje në temperatura rreth minus 1.7 gradë Celsius duke përfshirë zhytjen më të thellë dhe më të gjatë të bërë ndonjëherë në Antarktik.

Seti i tij zbulon diversitetin e jashtëzakonshëm të jetës që ekziston në ujërat e atjeshëm.

Fotografitë e tij përfshijnë një nga speciet e reja të mundshme të peshkut të rrethuar nga një shumëllojshmëri e gjerë e formave të jetës nënujore, duke përfshirë krijesa të quajtura yje të brishtë, si dhe izopodë.

Por fotografimi i tyre nuk ka qenë i lehtë. “Ishte një nga zhytjet më të vështira që kam bërë ndonjëherë”, ka treguar Ballesta.

Në ujërat e ftohtë jashtë Antarktidës, shumë specie preken nga një fenomen i njohur si gjigantizmi polar, i cili bën që jo-vertebrorët të evoluojnë trupa shumë më të mëdhenj se speciet e ngjashme në ujërat më të ngrohta.

Një shembull ilustrohet nga fotografia e një krijese të njohur si një merimangë gjigante e detit Antarktik.

Specie të tjera me pamje dramatike të fotografuara nga Ballesta përfshijnë një kandil deti me tentakulat që përdoren për të kapur dhe mbështjellë prenë e tij dhe që mund të lëshojnë dritë blu për të paralajmëruar grabitqarët.

Ishte imazhi i Edwardsiella andrillae që i dha biologut imazhin më të kënaqshëm të portofolit të tij.

Teksa po zhytej, Ballesta ishte i rraskapitur kur hasi në një fushë me anemone të detit që vareshin si dekorime Krishtlindjesh në akull.

Marrja e fotografive të tyre siguroi shpërqendrim nga shqetësimi që ai po përjetonte, duke ilustruar mrekullitë që mund të gjenden në detet përreth Antarktidës.

/The Guardian/ /Albanianpost.com

Read Previous

Kriza ushqimore, OKB-ja bën thirrje për zgjatjen e marrëveshjes së grurit

Read Next

​Kreu i Shërbimit të Inteligjencës Britanike: Rusisë po i mbarojnë armët