“Shtegu i Spinaricës”, eksperiencë fantastike mes natyrës dhe trashëgimisë kulturore

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, në bashkëpunim me Auleda – Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, nisën testimin e shtegut të dytë kulturor, “Shtegu i Spinaricës” i cili është një eksperiencë fantastike mes natyrës mahnitëse dhe trashëgimisë së pasur kulturore.

Të rinj, turistë dhe gazetarë morën pjesë në një ditë të pasur aktivitetesh, në kuadër të projektit Creatures, pjesë e programit Interreg Adrion. Shtegu nisi në qytetin e Vlorës dhe pjesa e parë u përfundua me biçikletë, ndërsa pjesa tjetër brenda Zvernecit përmes ecjes. Të rinjtë patën mundësinë të kalonin nëpër fshat dhe të shihnin pikat e pasura agrikulturore, ndërsa u zhvendosën drejt Manastirit, i cili është pika më e rëndësishme historike e fshatit. Të rinjtë dhe gazetarët vizituan Manastirin historik të Shën Marisë dhe më pas shijuan disa momente vëzhgimi të shpendëve. Pas kësaj, grupi u zhvendos përsëri në Lagunën e Nartës. Nga kjo pikë lëvizja u bë me makina dhe të rinj e gazetarë u gjendën në parkun arkeologjik të Apolonisë, që është një nga parqet antike më të rëndësishme në Shqipëri, por njëkohësisht edhe përfundimi i shtegut.

Shtegu synon të krijojë një eksperiencë gjithëpërfshirëse për vizitorët, duke lidhur Zvërnecin me Pojanin, natyrën me kulturën, vlerat tradicionale dhe historike të zonave. / atsh / KultPlus.com

Read Previous

Kaq e madhe është shkretëtira e Saharasë, shtrihet në 10 shtete

Read Next

Sindikata e Administratës e shqetësuar për mosprocedimin e pagave për të punësuarit në arsim