Shqiptarët shpenzuan 15.6 milionë euro në 8 muaj për të siguruar udhëtimet jashtë vendit

Rritja e turizmit të shqiptarëve jashtë vendit po kontribuon edhe këtë vit në rritjen e të ardhurave për kompanitë e sigurimeve.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për tetë muajt e këtij viti, shqiptarët kanë shpenzuar 1.23 miliardë lekë për të siguruar mjetet e tyre për udhëtime jashtë vendit me produktin e detyrueshëm të Kartonit Jeshil.

Krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar, primet e shkruara bruto për këtë produkt janë rritur me 3.3%.

Duke qenë se Kartoni Jeshil shitet në Euro, shkalla e rritjes këtë vit është tkurrur ndjeshëm nga efekti i kursit të këmbimit. Në mungesë të forcimit të Lekut ndaj Euros, rritja e këtij produkti edhe këtë vit do të kishte qenë dyshifrore.

Kartoni Jeshil apo Certifikata Ndërkombëtare e Sigurimit Motorik mbulon të gjitha përgjegjësitë civile (dëmet materiale dhe shëndetësore), që mund të shkaktohen nga përdorimi i mjetit motorik jashtë vendit.

Çdo drejtues i një mjeti me targa shqiptare duhet të pajiset detyrimisht me një policë sigurimi Karton Jeshil kur udhëton jashtë Shqipërisë.

Rritje me përmasa të ngjashme po shënon edhe një tjetër produkt i lidhur pothuajse ekskluzivisht me udhëtimet jashtë vendit, sigurimi i aksidenteve.

Sipas statistikave të AMF, primet e shkruara bruto në këtë produkt arritën në 429 milionë lekë ose 4.05 milionë euro, në rritje me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po të mbledhim primet e Kartonit Jeshil dhe Sigurimit të Aksidenteve, mund të llogaritet se shqiptarët kanë shpenzuar rreth 15.65 milionë euro për sigurime të lidhura me udhëtime jashtë vendit gjatë tetë muajve të parë të këtij viti.

Të dhënat e INSAT treguan se për 8-mujorin 2023 u regjistruan gjithsej 4.6 milionë dalje të shtetasve shqiptarë jashtë kufijve të vendit. Numri i daljeve u rrit me 18.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, raporton Monitor./Sinjali/

Read Previous

Mot i kthjellët e me diell

Read Next

ASHAK mban sot mbledhje komemorative për Luan Mulliqin