Shqipëria nis regjistrimin e popullsisë javën e ardhshme

Më 18 shtator në Shqipëri do të nisë regjistrimi i popullsisë dhe shtëpive. Ky proces është përgatitur që katër vjet. Ai fillimisht ishte shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19, e më pas për, siç është thënë, “mossigurimit me kohë të mjeteve të nevojshme për grumbullimin e informacionit në terren”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference për media më 13 shtator tha se regjistrimi është operacioni më i rëndësishëm statistikor për të “lexuar të sotme dhe zhvilluar të ardhmen”.

“Është e rëndësishme për vendin tonë që numri i shqiptarëve që jetojnë në këtë vend të jetë real që askush të mos thotë as që janë shumë dhe i keni shtuar rrugëve dhe as që janë pak, e duke qenë pak jeni një vend që nuk meritonin vëmendjen që pretendoni”, tha Rama.

Ndërkaq ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, theksoi se është e rëndësishme që ky regjistrim të ketë informacion të besueshëm statistikore.

Ai tha se BE-ja ka dhënë 4.8 milionë euro grante për agjencinë e statistikave (INSTAT) për të mbështetur këtë proces.

“Ky aktivitet ka rëndësi jo vetëm për të ofruar informacione për vendimmarrësit dhe hartuesit e politikave, bazuar në shifra, por edhe për vetë lehtësimin që do krijojë në rezultatet e prodhuara nga ky aktivitet për një planifikim më të mirë, për kopshtet, shkollat, spitalet, parqet, rrugët e të tjera. Do lehtësojë komunitetin e biznesit për vendimmarrje mbi planet e tyre zhvillimore. Gjithashtu do të jetë një bazë për krijimin e regjistrave statistikorë të rezidentëve në vend, të ndërtesave dhe banesave”, tha drejtoresha e INSTAT-it, Elsa Dhuli.

Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Grumbullimi i tyre do kryhet me pajisje elektronike. Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje.

Në modulin për individ do të përfshihet një informacion të gjerë për statusin civil, arsimin, punësimin e të tjera. Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë.

Procesi i marrjes së të dhënave në terren do të zgjasë gjashtë javë dhe mbyllet me 28 tetor. Më pas do të publikohen të dhënat e para në qershor 2024, ndërsa më të detajuara në dhjetor 2024.

Për regjistrimin e popullsisë do të angazhohen 7.500 persona. Ky do të jetë regjistrimi i dymbëdhjetë i popullsisë në Shqipëri. /REL/

Read Previous

Një i vdekur dhe mbi 60 raste me COVID-19 në dy javët e fundit në Kosovë

Read Next

Policia shqiptare procedon penalisht 6 tifozë për trazira në ndeshjen ndaj Polonisë