Shqipëria do të hapë ambasadën e saj në Ukrainë

Shqipëria do të ketë një ambasadë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev duke përmirësuar praninë e saj diplomatike.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, duke cituar statusin e saj në median sociale “Twitter”.

“Kanë kaluar 30 vjet që kur Shqipëria dhe Ukraina vendosën marrëdhënie diplomatike si dy vende që dalin nga tirania drejt botës së lirë. Me rastin e këtij 30-vjetori, jam e lumtur të njoftoj se Shqipëria do të përmirësojë praninë e saj diplomatike në Kiev duke hapur ambasadën e saj në Ukrainë”, theksoi kryediplomatja shqiptare.

Ajo shprehu krenarinë e autoriteteve shqiptare, të cilat qëndruan pranë Ukrainës si miq të vërtetë në anën e duhur të historisë.

“Rezistenca heroike e Ukrainës është një luftë për liri dhe refuzim i një kthimi në tiraninë nga e cila dolëm të dyja vendet shumë kohë më parë.  Kjo është arsyeja pse Shqipëria do të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj me maksimumin e aftësive të saj derisa të mbizotërojë kundër luftës së paligjshme e agresionit të Rusisë”, vijoi Xhaçka.

Zyrtarja shqiptare shtoi se Shqipëria dhe Ukraina i përkasin familjes së kombeve të lira dhe demokratike dhe të dyja kanë të ardhme në familjen euroatlantike.

“Mezi pres të punoj ngushtë me mikun dhe kolegun tim Dmytro Kuleba për të avancuar dhe forcuar bashkëpunimin tonë edhe më tej në të ardhmen”, ravijëzoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme. /Albanianpost.com

Read Previous

Oficer policie në çdo shkollë në Shqipëri, objektiv i Ministrisë së Arsimit

Read Next

Belgjika e dëshpëruar për të gjetur trajnerin e ri, kërkon trajner përmes LinkedIn