Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dënojnë “referendumet e rreme” të organizuara nga Rusia në Ukrainë

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë dënuar referendumet e mbajtura në rajonet që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë dhe në rajonet nën kontrollin e ushtrisë ruse në Ukrainë.

Në reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë të publikuar në rrjetet sociale thuhet se vendi dënon referendumet e “rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara.”

“Çdo aneksim i territorit të një shteti nga një shtet tjetër, që vjen si pasojë e kërcënimeve ose nga përdorimi i forcës është shkelje e parimeve të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në sesionin 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, referendumet në fjalë i konsideroi “referendume farsë nën kërcënimin e pushkës”.

Po ashtu edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në rrjetet sociale ka dënuar referendumet e mbajtura në rajonet ukrainase.

“Dënojmë ashpër referendumet e rreme në Ukrainë që paraqesin një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare. Rezultatet janë të pavlefshme dhe nuk do të njihen nga Maqedonia e Veriut”, shkroi Osmani.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut qëndron në anën e Ukrainës në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.

Që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, autoritetet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dënuan ndërhyrjen ushtarake të Rusisë, duke shprehur solidaritet me popullin ukrainas.

Gjithashtu dy vendet u janë bashkuar masave shtrënguese të ndërmarra nga Bashkimi Evropian (BE) kundër Rusisë, duke vendosur sanksione ndaj individëve dhe subjekteve të ndryshme ruse.

– Referendumet e mbajtura për bashkim me Rusinë nga administratat separatiste në Ukrainë

Më 23-27 shtator, në të ashtuquajturat Republikat Popullore Donetsk dhe Luhansk që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë në Ukrainë, si dhe në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia nën kontrollin e ushtrisë ruse, u mbajtën referendume për bashkim me Rusinë.

Sipas të dhënave jo-zyrtare nga të ashtuquajturat komisione zgjedhore në këto rajone, nga referendumet ka dalë vendimi për “bashkim me Rusinë”.

BE-ja ka reaguar ashpër kundër mbajtjes së referendumit dhe kundër Rusisë ka propozuar paketën e tetë të sanksioneve që përfshijnë zbatimin e çmimit tavan për naftën ruse dhe ndalesa të tregtisë. /AnadoluAgency(AA)/

Read Previous

Dua Lipa vendos rekord absolut, gruaja e parë që arrin 10 miliardë transmetime në Spotify

Read Next

Start-up bizneset përfitojnë mbështetje financiare nga “JIC”