Shorti i Euro 2024, Sylvinho: Të gjitha skuadra të vështira, duhet të përmirësohemi

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho ka folur mbi shortin e Euro 2024 ku Shqipëria do të marrë pjesë duke qenë e pozicionuar në vazon e dytë. Një pozicion i mirë për kuqezinjtë, por njëkohësisht mund të rezultoi me një “grup ferrri” për finalet e Evropianit.

I ftuar në emisionin “Opinion”, në “TV Klan”, të moderatorit Blendi Fevziu, Sylvinho u shpreh se ai ka plotesuar “një ëndërr” që ka mundur të kualifikohet në Euro 2024. Por, duke folur për kundërshtarët e mundshëm në grupe, braziliani nuk dha emra konkret. Ai theksoi se “janë të gjitha skuadra të vështira” dhe se kuqezinjtë “duhet të përmirësohen” ende.

Janë të gjitha skuadra të vështira. Unë kam nderin që po shkoj atje. Portugalia po luan shumë mirë edhe Spanja, janë të gjithë të fortë. Nuk është e thjeshtë”, tha trajneri Sylvinho fillimisht.

“Ne duhet të përmirësohemi akoma më shumë dhe të jemi gjithmonë me këmbë në tokë, duhet të fillojmë të bëjmë një rrugëtim që të mësohemi të luajmë në Europian dhe të ecim ngadalë-ngadalë”.

“Në këtë moment për mua është një ëndërr, të kualifikohesh një ndeshje më përpara. Ne duhet të mendojmë të përmirësohemi, të bëjmë një figurë të mirë dhe mund t’ja arrijmë. Kemi lojtarë të fortë dhe që luajnë në kampionate të rëndësishme”, theksoi braziliani.

Sylvinho – Blendi Fevziu – Armand Duka

Në emision, së bashku me Sylvinho-n ishte edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, i cili zbuloi më shumë detaje nga vendosja e Kombëtares shqiptare në Gjermani për llogari të Evropianit verën e ardhshme.

“Shorti do të hidhet ditën e shtunë më 2 dhjetor në Hamburg. Ka kohë që i kemi filluar përgatitjet edhe për akomodimin pasi rruga ishte drejt kualifikimit. Gjermaninë e kemi ndarë në tre rajone, nga katër hotele për çdo rajon”, u shpreh Duka.

“Shumë shpejt do të ngushtojm rrethin nga një hotel për çdo rajon. Ndërsa dy ditë pas shortit do të shkojmë të vizitojmë hotelet dhe do të vendosim. Të gjitha hotelet kanë kushtet e domosdoshme të stërvitjes dhe të gjitha se cfarë i duhet një ekipi futbolli për t’u përgatitur”.

“Ekipi Kombëtar do të grumbullohet në varësi të përfundimeve të kampionatit. Besoj se do të grumbullohemi 10 – 12 ditë përpara, do të vendosim bashkë me trajnerin dhe stafin se ku do të jetë më e përshtatshme në Shqipëri apo diku tjetër dhe dy ditë para se të nisë Evropiani do të duhet të transferohemi në Gjermani, për të luajtur ndeshjet”.

“Uroj që futbollistët t’i kemi me shëndet të plotë dhe të mos kemi dëmtime. Në mars kemi të programuar dy ndeshje miqësore, nuk i kemi përcaktuar kundërshtarët akoma, do të presim edhe shortin për të vendosur dhe pastaj para Europianit do të zhvillojmë edhe dy ose tre miqësore të tjera”, shtoi numri një i futbollit në vend.

Përsa i përketë shortit, Duka pranoi se ai vetë do të dëshironte Gjermaninë, nga ekipet e vazos së parë, për dy arsye. E para sepse “do të luajmë në ndeshjen hapëse” dhe e dyta sepse “nuk janë në një moment të mirë”.

Megjithatë, kreu i FSHF-së theksoi se “aty (në Evropian) nuk ka asnjë skuadër të dobët” dhe “e ke të vështirë t’i zgjedhësh dhe me dorë, kështu që çfarëdo që të sjellë shorti (do e mirëpresim)”.

“Do të doja të shmangnim Italinë, pasi është një skuadër shumë e fortë dhe me traditë. Me Rumaninë kemi fituar njëherë në Evropian dhe pse mos të fitojmë sërish”, tha Armand Duka ndër të tjera.

Mes disa tematikave të prekura në emision ishte edhe “çështja Broja”. Armando Broja, sulmuesi i Chelsea-t nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje me Shqipërinë nën drejtimin e Sylvinho-s dhe kjo për shkak dëmtimi. Ai u thirr për ndeshjen ndaj Çekisë në “Air Albania”, ku kuqezinjtë fituan 3-0, por një dëmtim në stërvitje e mbajti larg sfidës dhe larg për gati një muaj nga ndeshjet e Chelsea-t.

Broja është rikthyer së fundmi në fushë, dhe ai luajti në minutat e fundit të përballjes mes Chelsea-t dhe Manchester City-t ku fitoi edhe një 11 metërsh, që i siguroi barazimin 4-4 bluve në “Stamford Bridge”.

Edhe pse ndeshja e Chelsea-t me City-n ishte para dy ndeshjeve të fundit në kualifikuese, me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, dhe Broja kishte lënë pas dëmtimit, përsëri Sylvinho nuk e thirri sulmuesin. Diçka e tillë nxiti më shumë thashethemet se ka një krisje mes lojtarit dhe trajnerit.

Megjithatë, të dy, si Broja ashtu edhe Sylvinho kanë deklaruar publikisht se nuk ka asnjë përplasje mes tyre dhe gjithçka lidhet me dëmtimin e sulmuesit.

Dhe, edhe një herë, trajneri brazilian theksoi në “Opionin” se nuk ekziston një çështje Broja. Për Sylvinho-n, sulmuesi i Chelsea-t është një “lojtar klasi”.

“Broja është një lojtar i veçantë, ka pësuar një dëmtim të rëndë. Ai duhet të ketë dy ose tre muaj të qetë që të rifutet në lojë. Është një lojtarë klasi. Kam folur më të dhe ai është gati për Kombëtaren në çdo rast”, u shpreh trajneri Sylvinho. /Albanianpost.com

Read Previous

Shpërthimi në Prizren, arrestohet një i dyshuar e dy të tjerët në kërkim

Read Next

Rama në konferencë me Stoltenbergun: Kahja euroatlantike e Kosovës nuk diskutohet