Procesi i digjitalizimit të arsimit në Kosovë është shpallur shpesh si një nga prioritetet e institucioneve shtetërore. Megjithatë, në terren, ky proces po has në sfida të mëdha dhe shpeshherë ka prodhuar pabarazi të theksuara mes shkollave të vendit.
Ndërsa disa institucione arsimore në qytete të mëdha janë të pajisura me tabela të mençura dhe mjete digjitale moderne, shumë shkolla të tjera – kryesisht ato rurale vazhdojnë të mbeten jashtë këtij transformimi.
Kjo ka bërë që të krijohet një diferencë e dukshme në cilësinë e mësimdhënies dhe mësim nxënies, duke ngritur shqetësime mbi të ardhmen e barazisë në arsim.
“Nuk ka barazi mes nxënësve”
Eksperti i arsimit Nehat Mustafa tha për Albanian Post, se arsimi i obliguar është e drejtë e garantuar me ligj, dhe shteti ka përgjegjësi që të sigurojë kushte të barabarta për të gjithë.
Ai potencoi se dallimet në digjitalizim mes shkollave po krijojnë padrejtësi evidente.
“Arsimi i obliguar është diçka për të cilën shteti ka përgjegjësi të plotë. Neni i katërt i Ligjit për Arsimin para universitar e garanton qartë këtë të drejtë. Sot kemi një laramani të madhe mes komunave ka shkolla ku pothuajse çdo klasë është e pajisur me tabela të mençura, por ka edhe shkolla ku asnjë klasë nuk ka qasje në këto pajisje. Në këtë drejtim, fëmijët e zonave rurale janë më të diskriminuarit”, deklaroi ai për AP.
Një problem tjetër serioz është mungesa e trajnimeve për mësimdhënësit. Shumë prej tyre nuk janë të përgatitur për të përdorur mjetet që u janë vënë në dispozicion.
“Ka raste ku shkollat i kanë pajisjet digjitale, por ato nuk përdoren. Arsyeja është mungesa e trajnimeve dhe mungesa e grupeve që monitorojnë përdorimin e tyre. Nëse pyet nxënësit, shumë prej tyre do të thonë se tabela e mençur nuk përdoret”.
Sipas Mustafës, digjitalizimi nuk duhet të reduktohet vetëm në teknologji, por duhet të kombinohet me metoda tradicionale.
“Vetëm digjitalizimi nuk e ngrit cilësinë në arsim. Librat digjitalë mund t’i lehtësojnë nxënësit nga barra e peshës, por librat fizikë mbeten po aq të domosdoshëm për punë në shtëpi dhe përsëritje të njësive mësimore”.
Sfidat e trajnimit dhe përdorimit të pajisjeve
Profesori i Fakultetit të Edukimit, Veli Kryeziu sqaron për AP, se digjitalizimi ka potencial për të ndryshuar në themel procesin mësimor, por thekson se sfidat janë ende të shumta.
“Digjitalizimi i materialeve mësimore ndikon pozitivisht si tek nxënësit, ashtu edhe tek mësimdhënësit. Ai lehtëson qasjen në materiale, bën mësimin më praktik dhe ul barrën e librave për nxënësit. Mirëpo, sfida kryesore mbetet mungesa e aparaturave adekuate dhe mungesa e trajnimeve të mirëfillta”, u shpreh Kryeziu.
Më tutje, ai potencoi se me një investim relativisht të vogël, sistemi arsimor në Kosovë mund të bëjë hapa të mëdhenj përpara.
“Nëse secila shkollë do të kishte monitorë statikë digjitalë dhe nëse materialet shkollore do të digjitalizoheshin në mënyrë të kontrolluar, nxënësit do të kishin një qasje shumë më të lehtë në mësim. Por krahas kësaj, duhet të ketë edhe trajnime për mësimdhënësit dhe për vetë nxënësit, në mënyrë që teknologjia të përdoret me efikasitet”.
Një aspekt tjetër që shpesh anashkalohet është çështja e të drejtave të autorit. Digjitalizimi i materialeve mësimore hap mundësi të reja, por edhe rreziqe ligjore.
“Duhet të kihet parasysh se e drejta e autorit është e mbrojtur me ligj. Shpërndarja e materialeve digjitale pa autorizim nga botuesit dhe autorët përbën shkelje serioze. Prandaj, digjitalizimi duhet të bëhet në mënyrë të organizuar, duke respektuar të gjitha standardet ligjore dhe etike”, paralajmëroi ai.
Para një dekade, Qeveria e Kosovës kishte marrë një kredi mbi pesë milionë euro për digjitalizimin e procesit mësimor, furnizimin e shkollave me pajisje kompjuterike dhe për digjitalizim për testim dhe vlerësim të provimit të maturës.
Kjo kredi është marrë në vitin 2014, këstet e së cilës Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i paguajë deri në vitin 2032, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), tregojnë se numri i kompjuterëve në shkollat publike të Kosovës është 9 mijë e 138, apo mesatarisht 1 kompjuter për 35 nxënës.
Deri tash, janë lidhur 107 shkolla në Kosovë me internet brezgjerë, por ende rreth 16% e shkollave nuk kanë lidhje interneti./Albanianpost.com