Shefi i CIA-s: Ndërprerja e ndihmës nga SHBA për Ukrainën do të ishte një gabim me përmasa historike

Shefi i CIA-s, William Burns tha se SHBA-të do të bënin një gabim të përmasave historike nëse heqin dorë nga mbështetja për Ukrainën në luftën gati dy vjeçare ndaj Rusisë. Paralajmërimi vjen në një kohë që në Kongres është bllokuar propozimi për dërgimin e ndihmave ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën.

Në një opinion të publikuar të martën në Foreign Affairs, drejtori i CIA-s, shkroi se lufta e Putinit tashmë ka ndikuar rëndë Rusinë në mënyra të ndryshme, nga izolimi i saj globalisht deri te dëmtimi i ushtrisë dhe ekonomisë së saj.

“Të paktën 315,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur, dy të tretat e inventarit të tankeve ruse të paraluftës janë shkatërruar dhe programi i lavdëruar i Putinit për modernizimin ushtarak prej dekadash është zbrazur. E gjithë kjo është një rezultat i drejtpërdrejtë i trimërisë dhe aftësisë së ushtarëve ukrainas, të mbështetur nga mbështetja perëndimore“, shkroi Burns.

Burns shtoi se vazhdimi i furnizimit me armë do ta vendoste Ukrainën në një pozitë më të fortë nëse shfaqet një mundësi për negociata serioze për t’i dhënë fund luftës.

“Ajo ofron një shans për të siguruar një fitore afatgjatë për Ukrainën dhe një humbje strategjike për Rusinë; Ukraina mund të mbrojë sovranitetin e saj dhe të rindërtohet, ndërsa Rusia do të lihet të merret me kostot e qëndrueshme të marrëzisë së Putinit,” shkroi Burns.

“Që Shtetet e Bashkuara të largohen nga konflikti në këtë moment vendimtar dhe të ndërpresin mbështetjen për Ukrainën, do të ishte një gabim me përmasa historike”, duke lejuar në mënyrë efektive Rusinë të arrijë qëllimin e saj për të pushtuar Ukrainën”, ka shkruar mes të tjerash shefi i CIA-s. /abcnews.al

Read Previous

Dëmtohet shenja me stemën e Republikës së Kosovës në Zveçan, policia nis hetimet

Read Next

Policia e Kosovës i konfiskon pajisjet zyrtare një ish-pjesëtari serb të policisë