Shefi i BE-së në Kosovë: Po i vëzhgojmë votimet në Veri

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se janë 17 ekipe me rreth 60 persona në terren që po e vëzhgojnë votimin në qendra të ndryshme në Veri të Kosovës ku po votohet për ose kundër largimit të kryetarëve të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

“Vendosëm të dërgojmë vëzhgues në këtë proces. Janë organizuar shtetet anëtare të BE-së dhe organizatat ndërkombëtare nga vendet e tjera partnere, janë 17 ekipe për rreth 60 persona që kanë shkuar në qendra të ndryshme votimi”, tha ai për KTV-në.

Ndryshe, të gjitha vendvotimet janë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 19:00, ndërkaq për t’i shkarkuar kryetarët duhet votuar 50 për qind plus një votues, që procesi të rezultojë i suksesshëm dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në konferencën e parë për media këtë të diele, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se janë hapur të gjitha qendrat e votimit më kohë.

“Duke u mbështetur në të dhënat që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, ju njoftojmë se janë hapur të gjitha qendrat e votimit”, theksoi Elezi.

Në emër të KQZ-së, Elezi ftoi të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit.

Organizata “Demokracia në Veprim” e cila përmes ekipeve mobile po vëzhgon procesin e votimit për ose kundër largimit të kryetarëve të katër komunave veriore të vendit – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ka njoftuar se procesi i votimit deri në orën 09:00 është i qetë dhe nuk është vërehet interes nga qytetarët për të votuar./Albanianpost.com

Read Previous

Shkencëtarët thonë se gripi do shkaktojë një pandemi të re, OBSH në alarm nga H5N1

Read Next

​34 vjet nga lirimi i Adem Demaçit