Shan Pici, fotografi i alpeve shqiptare

“Një nga vlerat e fotografisë është edhe promovimi i kulturës sonë”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një postim në rrjetet sociale duke sjellë sot, si shembull të kësaj, një fotografi të Shan Picit marrë nga fondi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi.

Në foton e Shan Picit janë fiksuar disa gra, dy prej të cilave të veshura me xhokën e Mirditës, një nga perlat e veshjeve shqiptare.

Shan Pici vinte nga një familje qytetare shkodrane, e lidhur me miqësi me familjet e njohura të Shkodrës si Marubi, Gurakuqi e shumë të tjera. Filloi që në moshën 9-vjeçare të mësojë sekretet e fotografisë duke punuar si shegert në studion “Marubi”. Më 1924 u shkëput nga studio “Marubi” dhe bashkë me vëllezërit Tefë e Ndrekë, hapën studion e tyre “Fotografija Pici” në Fushën e Çelës.

Shan Pici u bë i njohur si fotografi i maleve, pasi ishte autor i shumë peizazheve dhe jetës në Alpet Shqiptare. Krijoi personalitetin e tij në fushën e portretit, peizazhit dhe në zbulimin e vlerave arkitektonike të qytetit të lindjes dhe të aktiviteteve të ndryshme sociale, politike, sportive.

Ishte botues i shumë kartolinave me tematika të ndryshme. Nga shkurti 1935, në studion e tij në Shkodër filluan të shiteshin aparatet “Voigländer”. Vijoi të merrte pjesë për njëfarë kohe edhe në botimet e revistave të kohës së regjimit si “Ylli”. La një trashëgimi të pasur në fushën e artit të fotografisë, mbi 54 000 negativë në xham dhe në celuloid. Vdiq në vitin 1976./ atsh / KultPlus.com

Read Previous

Shfaqen problemet sociale në Gjermani: Një në gjashtë vetë rrezikohet nga varfëria

Read Next

Thahet Ujëvara malazeze e Niagarës