Senati amerikan miraton ndihmën ushtarake për Ukrainën e Izraelin

Senati amerikan ka miratuar pakon e ndihmës ushtarake për Ukrainën, Izraelin dhe rajonin e Indo-Paqësorit ku përfshihet edhe Tajvani. Të menjëhershme ishin reagimet e presidentit Biden, atij ukrainas Zelenski, ministrit të jashtëm izraelit, por ka reaguar edhe qeveria kineze.

Me 79 vota për, Senati I Shteteve të Bashkuara e ka miratuar Projektligjin i cili të shtunën u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve për ndihmën ushtarake për Ukrainën, Izraelin dhe rajonin e Indo-Pacifikut, përfshirë Tajvanin. Kundër ishin 18 vota.

Nga projektligji me vlerë 95 miliardë dollarësh, 60.8 miliardë do të shkojnë për Ukrainën, 26.4 për Izraelin, ku përfshihet edhe ndihma humanitare për Gazën dhe 8.1 miliardë për rajonin e indo-Paqësorit.

Presidenti Biden, përmes një deklarate, e ka përshëndetur miratimin e projektligjit duke e quajtur atë legjislacion shumë të rëndësishëm që do ta bën kombin tonë, por edhe botën më të sigurt, pasi ne përkrahim miqtë të cilët po e mbrojnë veten prej terroristëve si Hamasi dhe tiranëve si Putini, ka thënë Biden.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenski, i cili përmes një postimi në rrjetin social X e ka falënderuar Senatin amerikan për miratimin e ndihmës prej pothuajse 61 miliardë dollarë për vendin e tij. Projektligji e përforcon rolin e Amerikës si një fanar të demokracisë dhe udhëheqëse të botës së lirë, ka shkruar Zelensky.

Ka reaguar edhe Israel Katz, ministri i Jashtëm i Izraelit I cili ka falënderuar liderët e Kongresit për angazhimin e tyre të palëkundur për sigurinë e Izraelit.

Ndërsa zëdhënësi i qeverisë kineze, ndihmën ushtarake amerikane për Tajvanin e ka quajtur shkelje serioze të parimit të një Kine të vetme e që do të dërgon sinjal të gabueshëm për forcat separatiste që janë pro—pavarësisë së Tajvanit.

Tajvani është një ishull që vetë-qeveriset që veten e konsideron si vend të pavarur nga Kina, por Pekini e sheh atë si province të shkëputur dhe shpreson ta kthen nën kontrollin e saj.

Projektligji  i miratuar në Senat, tani do të shkon për nënshkrim tek presidenti Joe Biden, me nënshkrimin e të cilit, projektligji shndërrohet në ligj. /RTK/

Read Previous

NJË JETË NË NJË ORË: Samile Haraqija

Read Next

Sot është dita e ndeshjeve kthyese në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës