Rritja e çmimeve të derivateve, DHTIK kërkon uljen e përkohshme të akcizës

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka kërkuar nga institucionet e Kosovës masa të përkohshme për lehtësimin e bizneseve, fermerëve dhe konsumatorëve, në përballimin e rritjes së çmimeve të derivateve.

DHTIK shpreh shqetësim se rritja e çmimeve të naftës po shton kostot e operimit në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, duke ndikuar në çmimet e konsumit, prodhimit dhe ndërtimit.

Sipas DHTIK-së, ndikimi është veçanërisht i madh te bizneset prodhuese, të cilat përballen edhe me reduktime të energjisë elektrike dhe, për të vazhduar punën, detyrohen të përdorin gjeneratorë.

“Për një pjesë të ndërmarrjeve, veçanërisht ato prodhuese, ndërprerjet e energjisë i detyrojnë të përdorin gjeneratorë për të vazhduar procesin e punës, duke krijuar shpenzime shtesë për blerjen e derivateve”, thuhet në komunikatë.

Dhoma thekson se rritja e çmimeve të derivateve po ndikon drejtpërdrejt edhe në sektorin e bujqësisë, pasi fermerët i përdorin ato për traktorë dhe makineri gjatë përgatitjes së tokës, mbjelljes, trajtimit dhe korrjes.

Sipas DHTIK-së, rritja e kostove të derivateve rrit edhe koston e prodhimit bujqësor, gjë që mund të reflektohet në çmimet e produkteve vendore dhe në konkurrueshmërinë e tyre përballë importeve.

DHTIK thotë se që nga fillimi i krizës ka kërkuar organizimin e një tryeze të përbashkët mes institucioneve dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, për të analizuar ndikimin e rritjes së kostove dhe për të diskutuar zgjidhje konkrete. Sipas saj, deri tani nuk ka pasur gatishmëri të mjaftueshme institucionale për realizimin e një takimi të tillë.

Në këtë situatë, DHTIK kërkon që institucionet të shqyrtojnë pa vonesë mundësinë e uljes së përkohshme të akcizës për derivatet, si dhe masa të tjera lehtësuese për sektorët më të prekur.

Dhoma përmend edhe masat e ndërmarra nga shtetet e rajonit, veçanërisht në uljen e akcizës, duke kërkuar që edhe Kosova të shqyrtojë masa të ngjashme.

Ndër propozimet e DHTIK-së janë edhe skema të përkohshme mbështetjeje për bizneset që përdorin gjeneratorë për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike, masa lehtësuese për fermerët dhe stimulimi i konsumit të produkteve vendore.

DHTIK vlerëson se dialogu institucional me komunitetin e biznesit është i domosdoshëm, në një kohë kur bizneset po përballen njëkohësisht me rritjen e kostove të energjisë, derivateve, transportit dhe inputeve të tjera. /RTKLive

Read Previous

“Liria Ka Emër” paralajmëron marshin “Jo në emrin tim” më 1 tetor

Read Next

Kërkohet krijimi i një task-force pas vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së