Më 1 gusht ka hyrë në fuqi rregullorja e re për bankat komerciale në Kosovë, ku këto të fundit duhet të ofrojnë xhirollogari me shërbime bazike pa pagesë ose me kosto minimale që nuk kalon 0.54 euro për muaj për qytetarët.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në Rregulloren për Qasjen në Llogari Pagese me Shërbime Bazike, thotë se pa marrë parasysh rrethanat financiare, statusin e punësimit apo nivelin e të ardhurave, qytetarët kanë të drejtë të kenë qasje në llogari pagese me shërbime bazike.
Sipas BQK-së, klientët mund ta konvertojnë xhirollogarinë aktuale të tyre në llogari pagese me shërbime bazike.
“Konsumatorët ekzistues të cilët posedojnë llogari pagese, me kërkesë, kanë të drejtë të konvertojnë llogarinë e tyre në llogari pagese me shërbime bazike nëse plotësojnë kushtet e parapara sipas rregullores”, thuhet në rregullore.
Tarifa për mirëmbajtjen e llogarisë nuk duhet të jetë më e lartë se 0.12 për qind e vlerës së pagës mesatare neto në vend.
“Bankat mund të përcaktojnë tarifa më të ulëta (ose edhe të ofrojnë këto shërbime krejtësisht pa pagesë), por në asnjë mënyrë nuk mund të përcaktojnë tarifë më të lartë se 0.12 për qind e vlerës së pagës mesatare neto mujore në Republikën e Kosovës, e publikuar së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës”, vijon rregullorja.
Po ashtu, aty thuhet se klientëve gjatë qasjes në llogarinë bazike, bankat nuk kanë të drejtë t’ua kushtëzojnë klientëve blerjen e shërbimeve shtesë.
“Konsumatorëve, banka nuk ka të drejtë që qasjen në një llogari pagese me shërbime bazike, t’ua kushtëzoj me blerjen e shërbimeve shtesë”, tregon BQK-ja.
Në shërbimet e listuara brenda rregullores theksohet se bankat në formë të njëjtë do t’u ofrojnë këto shërbime për klientët që mbajnë llogari pagese.
Llogaria e pagesës me shërbimet bazike u mundëson klientëve hapjen, mirëmbajtjen dhe mbylljen një xhirollogarie pagese; shërbime që mundësojnë deponimin e fondeve në llogari pagese; shërbime që lejojnë tërheqjen e parave nga llogaria e pagesës; ekzekutimi i transaksioneve të pagesave; debitimi direkt; transaksionet e pagesave përmes një kartele, përfshirë pagesat në internet; transferet e kreditit brenda bankës, duke përfshirë urdhëresat automatike, aty ku është e mundur në bankomatë (ATM) dhe në sportelet e bankës ose përmes platformave online.
Kjo rregullore obligon bankat komerciale në vend që të hapin llogarinë e pagesës me shërbime bazike ose të refuzojnë aplikimin e klientit për një llogari të tillë.
“Bankat janë të obliguara të hapin llogarinë e pagesës me shërbime bazike ose të refuzojnë aplikimin e konsumatorit për një llogari të tillë, më së voni deri në 10 ditë pune pas pranimit të plotë të aplikacionit”, thekson rregullorja.
Bankat komerciale në vend gjithashtu duhet të ofrojnë shërbimet pa pagesë për kategoritë e klientëve që i përkasin grupit të cenueshëm.
“Bankat duhet të ofrojnë të gjitha shërbimet e parashikuara pa pagesë, për kategoritë e konsumatorëve që i përkasin grupit të konsumatorëve të cenueshëm që përfitojnë nga të drejtat e parashikuara me legjislacionin që rregullon pensionet dhe asistencën sociale në Republikën e Kosovës, të konfirmuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (apo Ministria pasardhëse)”, njofton BQK.
Kjo rregullore, aplikohet për të gjitha bankat dhe degët e bankave të huaja të licencuara nga BQK-ja, që veprojnë në territorin e Kosovës. /Telegrafi/