Rizvanolli: Mbi 200 mijë familje përfituan nga pakoja e BE-së për energjinë

Mbi 200 mijë familje në Kosovë kanë përfituar nga pakoja e mbështetjes për energjinë e Bashkimit Evropian, në vlerë totale prej 75 milionë eurosh. Kështu bëri me dije ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në aktivitetin për shënimin e përfundimit të programit të mbështetjes për enrigjinë.

Rizvanolli tha se mbështetja e BE-së erdhi në një periudhë të vështirë të krizës energjetike dhe ndihmoi familjet të përballonin kostot e energjisë, duke krijuar njëkohësisht mundësi për kursime afatgjata.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës e falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen që na dha në një periudhë shumë të vështirë për ne dhe gjithë rajonin dhe gjithë Evropën”, tha Rizvanolli.

Ajo rikujtoi se kriza energjetike e vitit 2022, e përkeqësuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, e vuri Evropën përballë sfidave të mëdha të sigurisë së furnizimit me energji. Sipas saj, situata ishte veçanërisht sfiduese për Kosovën, për shkak të kapaciteteve të vjetra prodhuese dhe rritjes së shpejtë të konsumit të energjisë elektrike.

Ministrja bëri me dije se, vetëm gjatë dimrit 2024–2025, rreth 85 mijë familje u mbështetën përmes programit për konsumatorët e cenueshëm, ndërsa mbi 20 mijë familje që përfitojnë nga asistenca sociale morën mbështetje për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje.

Ajo theksoi se qëllimi i Qeverisë nuk ishte vetëm t’i ndihmonte qytetarët të përballonin krizën, por edhe të investonte në masa që do t’ua ulnin shpenzimet e energjisë në vitet e ardhshme.

“Ne kemi mbështetur familjet për ta përballuar dimrin e kemi investuar për shumë dimra të tjerë që vijnë, dhe jo vetëm dimra”, u shpreh Rizvanolli.

Sipas saj, Ministria e Ekonomisë kishte nisur punën për rritjen e efiçiencës së energjisë edhe para ndarjes së pakos së BE-së. Në tetor të vitit 2022, ministria kishte hapur thirrjen e parë për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, ndërsa efiçienca ishte përcaktuar si një nga prioritetet kryesore në Strategjinë e Energjisë së Kosovës.

Rizvanolli vlerësoi se ulja e konsumit të energjisë përmes investimeve në efiçiencë është një nga mënyrat më efektive për të përballuar sfidat energjetike, duke sjellë përfitime të menjëhershme dhe afatgjata për qytetarët.

Në aktivitet u theksua gjithashtu se, përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, janë zbatuar masa në sektorin rezidencial në vlerë prej 20 milionë eurosh. Këto investime synojnë përmirësimin e kushteve të banimit, uljen e konsumit të energjisë dhe lehtësimin e faturave për familjet përfituese.

Programi, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, u vlerësua si një shembull i partneritetit që kontribuon në përdorimin më efikas të energjisë dhe në tranzicionin drejt një sistemi energjetik më të qëndrueshëm.

Schuebel: BE-ja investoi mbi 3.7 miliardë euro në Kosovë

Bashkimi Evropian ka investuar mbi 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga vitet ’99, ndërsa pakoja e mbështetjes për energjinë, në vlerë prej 75 milionë eurosh, ka ndihmuar qindra mijëra qytetarë dhe biznese. Kështu deklaroi ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, në aktivitetin për shënimin e përfundimit të programit të mbështetjes për energjinë.

Schuebel tha se pakoja e mbështetjes energjetike, e iniciuar në vitin 2022, ishte përgjigje ndaj krizës globale energjetike, e cila u përkeqësua nga agresioni rus kundër Ukrainës.

Ai theksoi se, përtej mbështetjes së drejtpërdrejtë për më shumë se 200 mijë familje, programi ka kontribuar edhe në rritjen e efiçiencës së energjisë në dhjetëra mijëra shtëpi dhe në mbi 150 biznese.

Sipas tij, këto investime kanë ndihmuar në uljen e kostove të energjisë dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të punës.

Ambasadori vlerësoi se pakoja nuk ishte vetëm reagim ndaj krizës, por edhe investim në sigurinë afatgjatë energjetike të Kosovës dhe në tranzicionin drejt energjisë së pastër.

Ai theksoi se investimet e përbashkëta të BE-së dhe institucioneve të Kosovës do të jenë thelbësore për avancimin e energjisë së ripërtëritshme dhe për garantimin e sigurisë energjetike në të ardhmen.

Schuebel shprehu gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, në mënyrë që mbështetja të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët, familjet dhe bizneset.

“Bashkimi Evropian qëndron pas jush”, tha në fund ambasadori, duke falënderuar Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Financave dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë për bashkëpunimin në zbatimin e programit. /RTKlive

Read Previous

Vitia: 53.4% e rasteve të kancerit të gjirit u diagnostikuan në fazat e hershme

Read Next

Zulfaj në Bruksel kërkon avancimin e statusit të Kosovës në vend kandidat për BE