Revista e njohur botërore promovon Kosovën, sjell në vëmendje bukuritë e Bjeshkëve të Nemuna

Revista prestigjioze ndërkombëtare Condé Nast Traveler i ka kushtuar një reportazh të veçantë shtegut turistik “Peaks of the Balkans”, i cili lidh Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi, duke promovuar bukuritë natyrore të rajonit dhe ndikimin e turizmit në komunitetet lokale.

Shtegu, i gjatë rreth 192 kilometra, përshkon Alpet Shqiptare dhe Bjeshkët e Nemuna, duke u ofruar turistëve pamje mbresëlënëse malore, liqene, pyje dhe mundësi për të njohur nga afër kulturën dhe mikpritjen tradicionale të banorëve.

Për ta përshkuar të gjithë itinerarin, vizitorëve zakonisht u nevojiten 10 deri në 13 ditë.

Në reportazhin e publikuar, vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Kosovës, përkatësisht zonave malore të Rugovës, Junikut dhe fshatrave përreth.

Përmes rrëfimeve të banorëve, revista pasqyron mënyrën se si zhvillimi i turizmit malor ka ndihmuar në rigjallërimin e vendbanimeve dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike për familjet lokale.

Një prej historive të përfshira në reportazh është ajo e Blendi Lajqit nga Drelaj, familja e të cilit ishte larguar gjatë luftës së viteve 1998-1999. Pas shumë vitesh, zhvillimi i turizmit u mundësoi atyre të kthehen dhe ta shndërrojnë shtëpinë familjare në bujtinë për turistët.

Sipas të dhënave të përmendura në artikull, shtegu tërheq rreth 43 mijë vizitorë në vit dhe gjeneron mbi 25 milionë euro aktivitet ekonomik.

Reportazhi e paraqet “Peaks of the Balkans” jo vetëm si një destinacion për adhuruesit e ecjeve malore, por edhe si shembull të bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimit ekonomik përmes turizmit.

Përmes këtij publikimi në një revistë me reputacion ndërkombëtar, bukuritë natyrore të Kosovës dhe potenciali i saj turistik marrin një tjetër hapësirë promovimi përtej kufijve.

/GazetaSinjali/

Read Previous

NATO paralajmëron krizë karburanti në rast lufte

Read Next

300 milionë euro ose asgjë, Bayerni ia mbyll derën Real Madridit për Olisen