Reshjet e shiut vazhdojnë edhe pesë ditë, IHK: Mund të shkaktojnë probleme edhe në pjesët tjera të vendit

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se reshjet e shiut me intensitet të ndryshuar pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar.

Në njoftimin për media të IHK thuhet se situata e përgjithshme hidrometeorologjike në pjesën më të madhe të vendit, ditëve të fundit është përkeqësuar, si pasojë e reshjeve intensive të shiut, sidomos në disa pjesë të vendit.

“Reshjet e shiut me intensitet të ndryshuar, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, (deri më 25/01/2023)…”, bën të ditur Instituti.

Aktualisht situata më e rënduar është në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të vendit.

IHK thekson se duke pasur parasysh reshjet të cilat janë duke vazhduar aktualisht dhe ditët në vijim, mund të shkaktojnë probleme dhe vështirësi edhe në pjesët tjera të vendit.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për shkak të vërshimeve dhe turbullirave në shumicën e resurseve ujore ka rekomanduar që të vlohet uji për pije.

Rekomandimi i IKSHPK-së që qytetarët ta vlojnë ujin para përdorimit është si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse. 

/Telegrafi/

Read Previous

Arrestohen në Spanjë bosët e bandës në Shqipëri

Read Next

Numër rekord i bankierëve milionerë në vitin 2021, sipas EBA-s