Rënia e kursit Euro-Lekë prek nivelin më të ulët në tre muaj

Leku ka vijuar të forcohet kundrejt monedhës së përbashkët evropiane.

Euro u këmbye me 103.29 lekë, niveli më i ulët që prej 20 dhjetorit të vitit të kaluar.

Që nga fillimi i vitit 2024 deri në fillim të marsit, kursi i këmbimit të Euros ishte shfaqur i qëndrueshëm pranë nivelit të 104 lekëve.

Megjithatë, me afrimin e fundit të tremujorit të parë, tendencat e mbiçmimit të Lekut po përtërihen përsëri. Kursi i këmbimit Euro-Lekë aktualisht paraqitet në rënie vjetore me 9.7%.

Deri tani, të dhënat e tregtisë së jashtme kanë treguar një përkeqësim të bilancit tregtar në mallra. Për periudhën janar-shkurt, deficiti tregtar arriti në 72 miliardë lekë, në rritje me 53% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, bilanci i jashtë në mallra jep vetëm pjesërisht një tablo të ecurisë së pozicionit të jashtë të ekonomisë dhe ka një domethënie gjithnjë e më të ulët për kursin e këmbimit.

Të dhënat e Bilancit të Pagesave publikohen me vonesë në kohë dhe për momentin nuk mundësojnë një vlerësim të saktë. Megjithatë, turizmi besohet se ka vazhduar të japë një efekt pozitiv në flukset valutore hyrëse në ekonomi. Sipas të dhënave të INSTAT, për muajin janar numri i hyrjeve të shtetasve të huaj u rrit me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Dalja nga sezoni dimëror pritet të sjellë një efekt në rritje të turizmit në ekonomi dhe kursi i këmbimit është një nga treguesit që pritet të jetë më i ndjeshëm ndaj këtyre zhvillimeve.

Vitin e kaluar edhe politika fiskale luajti një rol në shtrëngimin e ofertës së Lekut dhe në mbiçmimin e Euros në kursin e këmbimit.

Nëse dinamikat e shpenzimit të deficitit do të jenë të ngjashme me dy vitet e fundit, gjatat janë që ndikimi në kursin e këmbimit të jetë në të njëjtin kah edhe për këtë vit. Edhe për janarin, buxheti i shtetit ishte në suficit, në vlerën e 15 miliardë lekëve.

Duke parë ritmin e ulët të shpenzimeve në fillim të vitit, veçanërsisht të atyre kapitale, gjasat janë që suficiti buxhetor të vazhdojë të zgjerohet për muajt në vazhdim. /Albanianpost.com

Read Previous

Ministria e Mbrojtjes jep tender në vlerë 1.8 milion euro për furnizim të FSK-së me 17 mijë palë çizme ushtarake

Read Next

NJË JETË NË NJË ORË: Besim Këpuska