Reagon ambasada amerikane pas vendosjes së masave të reja antiCOVID në Kosovë

Ambasada e Amerikës, përmes një njoftimi për media ka përkrahur masat e reja antiCOVID, të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Përmes një njoftimi për media, ambasada e SHBA-ve nënvizon se masat që janë ndërmarrë nga Qeveria, kanë treguar efektin në kontrollimin e përhapjes së koronavirusit.

“Masat parandaluese si ato të publikuara së fundmi nga Qeveria, janë dëshmuar të efektshme në kontrollimin e përhapjes së COVID-19. Me rritjen e numrit të të infektuarve, përfshirë të rinjtë, është koha të kthehemi te gjërat themelore: vendosni maskën, lani duart, mbani distancën. Ne jemi të gjithë në këtë së bashku”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Edhe ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reja me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë.

Përmes një postimi në Facebook, kjo ambasadë ka përkrahur këtë vendim dhe ka bërë thirrje që të respektohen masat e reja.

“Ne mbështesim vendimin e qeverisë për të sjellë masa të reja për të zvogëluar përhapjen e Covid-19. Mjerisht, mbi 500 njerëz në Kosovë kanë vdekur nga Covid-19 që nga fillimi i vitit 2021. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të respektojnë masat për të mbrojtur njëri-tjetrin. #BashkëKundërCovid19”, thuhet në reagimin e kësaj ambasade.

Qeveria Kurti të hënën ka shtrënguar masat në luftën kundër COVID-19. 

Në mesin e tyre është ndalimi i qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se masat e reja antiCOVID hyjnë në fuqi më 7 prill dhe zgjasin 11 ditë, pra deri më 18 prill, kur edhe do të rishikohen ato.

Institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do kalojnë në online nga 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga 6 deri më 18 prill.

Të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetimin për test RT-PCR negativ, të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë.

Sipas njoftimit, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill.

“Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”

Ndërkaq bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç:

-Gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes;

-Gjatë vrapit dhe çiklimit;

-Gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.

Read Previous

20 vjet pas bëhet varrimi i mitrovicasit Selahedin Mehmeti, i gjetur në Kishevak të Serbisë

Read Next

Kërcënimi për sulm në spitalet e Kosovës, flet ministri Arben Vitia