Banorët e rrugës “Lekë Dukagjini”, probleme me ndriçimin publik nga tetori 2025
Zgjerimi i Bashkimit Evropian përbën një përgjigje strategjike ndaj realitetit të ri gjeopolitik dhe një investim kyç për sigurinë dhe stabilitetin e Unionit, thuhet në një raport të miratuar të mërkurën nga Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET).
Raporti u miratua me 44 vota pro, 11 kundër dhe 8 abstenime, dhe thekson se kostoja e moszgjerimit do të ishte më e lartë se ajo e anëtarësimit, duke rritur rrezikun e krijimit të zonave gri gjeopolitike, të cenueshme ndaj ndikimeve destabilizuese dhe ndërhyrjeve të aktorëve të jashtëm.
Zgjerimi si mjet sigurie
Eurodeputetët vlerësojnë se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një proces teknik, por një instrument politik për forcimin e ndikimit global të Unionit dhe parandalimin e pasigurisë në fqinjësinë evropiane.
Raporti mirëpret progresin e shënuar nga disa vende kandidate, të cilat kanë vendosur objektiva ambicioze për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit.
Megjithatë, AFET nënvizon se ky progres duhet të shoqërohet me reforma konkrete, ndërsa Këshilli i BE-së ftohet të heqë pengesat politike nga ana e Unionit dhe të përgjigjet me të njëjtin nivel angazhimi.
Procesi i anëtarësimit mbetet i bazuar në meritë
Raporti riafirmon se zgjerimi duhet të mbetet i bazuar në meritë, i kthyeshëm dhe individual, duke përjashtuar çdo qasje të tipit “paketë”.
Nuk mund të ketë rrugë të shkurtra në respektimin e vlerave themelore të BE-së, përfshirë sundimin e ligjit, reformat demokratike, lirinë e medias, të drejtat e pakicave, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.
Eurodeputetët theksojnë gjithashtu nevojën për mbështetje të qëndrueshme për shoqërinë civile, si faktor kyç në avancimin e reformave dhe ruajtjen e standardeve evropiane.
Orientimi gjeostrategjik
Sipas raportit, përputhja me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (CFSP) është një tregues i rëndësishëm i orientimit gjeostrategjik të vendeve kandidate.
AFET vëren se prapambetja më shqetësuese demokratike po ndodh pikërisht në vendet me nivelin më të ulët të përputhjes me CFSP-në, si dhe në ato vende ku procesi i anëtarësimit ka hyrë në ngërç.
Komisioni i Punëve të Jashtme kërkon forcimin e monitorimit të zbatimit të reformave në kuadër të të ashtuquajturit “klasteri i themeleve”, si dhe rritje të mbështetjes për aktorët pro-evropianë të shoqërisë civile që angazhohen për reforma dhe vlera demokratike.
Raporti bën thirrje gjithashtu për financim të mjaftueshëm para-anëtarësimi në kuadrin e ardhshëm financiar shumëvjeçar të BE-së, si dhe për thellim të bashkëpunimit në fusha si infrastruktura, siguria, qëndrueshmëria dhe kundërvënia ndaj manipulimit të informacionit nga aktorë të huaj.
Qëndrimi i raportuesit
Raportuesi i dokumentit, eurodeputeti Petras Auštrevičius (Renew Europe, Lituani), e cilësoi zgjerimin si një prioritet gjeopolitik për Bashkimin Evropian.
“Një Evropë më e bashkuar forcon ndikimin global të Unionit. Për ta arritur këtë, BE-ja duhet të thjeshtojë procesin e anëtarësimit duke adresuar bllokimet politike, veçanërisht në hapat ndërmjetës si hapja dhe mbyllja e kapitujve dhe klasterëve të negociatave”, u shpreh ai, duke sugjeruar përdorimin më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar.
Auštrevičius theksoi se vendet kandidate duhet të zbatojnë në mënyrë të qëndrueshme reformat e kërkuara, pasi anëtarësimi në BE mund të arrihet vetëm përmes një procesi rreptësisht të bazuar në meritë. /Albanianpost.com