Qeveria ndan 520 mijë euro për IML-në, Ministria e Drejtësisë tregon pikat ku do të investohet

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ndarjen e 520 mijë eurove për financimin shtesë të projektit “Renovimi i kulmit dhe rikonstruktimi i hapësirave të brendshme në objektin e IML-së”.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ky buxhet do të shfrytëzohet për renovimin e hapësirave të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), të cilat ishin dëmtuar si pasojë e incidentit me zjarr në nëntor të vitit të kaluar, ku krahas kësaj do të investohet në tërë objektin e IML-së duke rritur sigurinë e përgjithshme me qëllim të parandalimit të ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

“Ky buxhet do të shfrytëzohet për renovimin e hapësirave të IML-së që ishin dëmtuar si pasojë e incidentit me zjarrin në nëntor të vitit të kaluar, mirëpo në të njëjtën kohë do të intervenohet në tërë objektin e IML-së duke rritur sigurinë e përgjithshme me qëllim të parandalimit të ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Renovimi do të realizohet në bazë të projektit të përgatitur nga departamenti i inxhinieringut në MD, i cili përfshin rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Universitetit të Prishtinës për vlerësimin e dëmeve dhe rritjen e sigurisë së objektit”, ka shkruar Ministria e Drejtësisë në “Facebook”.

Tutje, Ministria ka bërë të ditur se pikat kryesore në të cilat do të investohet janë instalimi i sistemit kundër zjarrit, instalimi i sistemit të ri elektrik, vendosja e ventilimit qendror, përmirësimi i kushteve dhe funksionalizimi i sallave të autopsisë, si dhe ridizajnimi i hapësirave të brendshme të punës në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Me këtë investim, do të krijohet një mjedis i sigurt për punë dhe ruajtjen e provave të rëndësishme mjeko-ligjore që do të mundësojnë rifillimin sa më shpejt të procesit të akreditimit të shërbimeve mjeko- ligjore”, përfundon Ministria./21Media

Read Previous

Kinë-SHBA: Mosmarrëveshje për Tiktok-un

Read Next

Aksion i policisë në tri qytete, krejt çfarë u gjet e u konfiskua