Arsene Wenger vjen me një propozim të ri për pozitën jashtë loje
Ndërtimi i Qendrës Akuatike në Prishtinë duhet të jetë prioritet dhe nuk duhet të vihet në diskutim, pasi kjo infrastrukturë është e domosdoshme jo vetëm për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, por edhe për zhvillimin e sportit të notit në Kosovë.
Trajnerët e notit, Astrit Haliti dhe Ardian Hamiti, vlerësojnë se mungesa e një qendre të mirëfilltë akuatike po e vështirëson ndjeshëm përgatitjen e notarëve kosovarë, të cilët aktualisht detyrohen të stërviten në kushte jo të përshtatshme.
Haliti thekson se ndërtimi i kësaj qendre nuk duhet të diskutohet, pasi Prishtina është i vetmi kryeqytet që nuk ka një pishinë të mbyllur publike ku sportistët mund të zhvillojnë stërvitjet e tyre.
Haliti: Ndërtimi i Qendrës Akuatike nuk duhet as të diskutohet
“Sigurisht qendra akuatike ka qenë e rëndësishme të jetë shumë më herët. Kjo për Lojërat Mesdhetare nuk do koment, do të thotë shteti duhet gjithsesi që këto t’i ndërtojë edhe t’i kemi në dispozicion për Lojërat Mesdhetare, pavarësisht që është koha shumë e shkurtër, për shkak se sportisti duhet të përgatitet, do të thotë ju e dini çfarë noti kemi, çfarë cilësie kemi. Ndërkohë që vijnë Lojërat Mesdhetare 2030 dhe ne nuk kemi një plan, ose një vend ku mund të stërvitemi, në mënyrë që të paktën ta afrohemi me sportistët e shteteve të tjera pjesëmarrëse…Nuk e di cila është arsyeja të diskutohet ajo. Për shkak se Prishtina është kryeqyteti i vetëm që nuk e ka një pishinë të mbyllur publike, ku mund të stërviten shumica e sportistëve që të paktën të kenë një vend ku mund të stërviten. Për sa këtu fillojnë të diskutohen këto gjëra, unë pak edhe po çuditem me mënyrën qysh pse diskutohet kjo punë. Duhet të jetë primare edhe duhet gjithsesi të kryhet. Jo për faktin veç të Lojërave Mesdhetare.
Në të njëjtën linjë është edhe trajneri tjetër i notit, Ardian Hamiti, i cili thotë se infrastruktura është problemi kryesor që e përcjell notin kosovar prej shumë vitesh.
Ai vlerëson se ndërtimi i Qendrës Akuatike do të zgjidhte një pjesë të madhe të problemeve me të cilat përballen notarët, duke u mundësuar atyre kushte më të mira për përgatitje.
Hamiti: Qendra akuatike do t’i zgjidhte problemet e notit në Kosovë
“Realisht sportistët e notit stërviten në kushte mjaft të vështira. Kemi disa pishina, një ose dy pishina gjysëm olimpike këtu në rrethinën e Prishtinës, njërën në Pejë të cilat nuk i plotësojnë kushtet për stërvitje. Përveç të tjerash janë shumë të kushtueshme. Janë pishina private… Infrastruktura është thembra e Akilit në notin kosovar që shumë, shumë vite. Edhe mundësia e ndërtimit të një qendre akuatike do t’i zgjidhte mjaft mirë problemet e notit në Kosovë. Mandej, kur kemi marrë vesh që Kosova, Prishtina mundet t’i realizojë Lojërat Mesdhetare, kur kemi marrë lajmin që kemi fituar të drejtën, e kemi pasur një mundësi shumë të mirë edhe për realizimin e infrastrukturës e cila do të shërbente shumë, jo vetëm për organizimin e Lojërave Mesdhetare, por do t’i zgjidhte edhe problemet e notit në Kosovë.
Ndërkohë, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, e cilëson Qendrën Akuatike si një prej kërkesave kryesore të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), duke theksuar se objekti duhet të ndërtohet sipas standardeve ndërkombëtare.
Krasniqi: Qendra Akuatike është edhe kërkesë e ICMG-s
“E rëndësishme për ne shumë është edhe Qendra Akuatike që Kosovës i mungon. Kjo është një prej kërkesave kryesore të ICMG-s që Qendra Akuatike të bëhet me dy pishina olimpike edhe me ato gjysmë olimpike sepse sporti i notit është një prej sporteve kryesore, atletika, noti, këto janë sporte kryesore që ata i japin rëndësi shumë të madhe. Duhet të jetë më standarte të cilat duhet t’i plotësojë për një garë të tillë”, tha Krasniqi.
KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga Federata e Notit e Kosovës lidhur me rëndësinë e ndërtimit të Qendrës Akuatike dhe qëndrimin e saj për këtë projekt, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje nga kjo federatë.
Qendra Akuatike është një prej projekteve të rëndësishme infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Megjithatë, rëndësia e saj tejkalon këtë organizim, pasi një objekt i tillë do t’u mundësonte notarëve kosovarë të përgatiten në kushte më të mira dhe do të krijonte bazë për zhvillimin afatgjatë të këtij sporti. /KosovaPress/