Protesta në aeroportet gjermane kundër deportimeve të azilkërkuesve

Qindra persona protestuan të shtunën në disa aeroporte të Gjermanisë kundër deportimit të azilkërkuesve dhe ndalimit të tyre në pritje të largimit nga vendi, sipas vlerësimeve të policisë.

Mobilizimet u zhvilluan në disa prej aeroporteve kryesore gjermane. Në aeroportin e Mynihut morën pjesë më shumë se 700 persona, ndërsa në Leipzig u regjistruan rreth 400 protestues. Në Frankfurt u mblodhën rreth 300 persona, në Berlin-Brandenburg rreth 150, ndërsa në aeroportet e Këlnit/Bonit dhe Düsseldorf-it rreth 50 protestues në secilin prej tyre.

Aleanca që organizoi protestat deklaroi se në tubime morën pjesë gjithsej disa mijëra njerëz. Sipas organizatorëve, demonstratat nuk u kufizuan vetëm në aeroporte, por u zhvilluan edhe në qytete të tjera, përfshirë Bielefeldin dhe Hanoverin.

Protestuesit kundërshtojnë deportimin e migrantëve, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar nga autoritetet gjermane. Ata denoncojnë gjithashtu ndalimin e personave në pritje të deportimit dhe zgjerimin e infrastrukturës së përdorur për zbatimin e këtyre procedurave.

Në Leipzig, protesta u përqendrua veçanërisht te fluturimet speciale për deportimin e migrantëve drejt Afganistanit. Autoritetet gjermane kanë deklaruar se shumica e personave të deportuar drejt këtij vendi ishin dënuar për vepra penale.

Read Previous

Reuters: Zgjedhjet e sotme në Serbi, sfida më e madhe për sundimin e populistit Vuçiq

Read Next

Inteligjenca amerikane paralajmëron për rritjen e kërcënimeve iraniane ndaj zyrtarëve të SHBA-së