Presidenti që ka shërbyer më së gjati në këtë post në botë po kërkon rizgjedhjen

Presidenti që ka shërbyer më së gjati në këtë post në botë po kërkon rizgjedhjen për të vazhduar sundimin e tij 43-vjeçar në Guinenë Ekuatoriale.

Sipas mediave të huaja, presidenti Teodoro Obiang Nguema Mbasogo, 80 vjeç, ka udhëhequr një regjim të shënuar nga shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturat dhe zhdukjet.

Disa kandidatë të opozitës janë në garë, por nuk pritet të fitojnë.

Presidenti ka një kontroll të fortë në kombin e pasur me naftë, me anëtarë të familjes në role kyçe të qeverisë.

Djali i tij i cili shërben si zëvendës-president, Teodoro “Teorodin” Nguema Obiang Mangue, ka bërë një jetë luksoze në SHBA dhe Evropë.

“Zgjedhjet janë thjesht kozmetike”, ka vlerësuar profesoresha Ana Lúcia Sá për BBC.

“Asgjë nuk do të ndryshojë”, ka shtuar profesoresha Sá, e specializuar në politikë dhe regjime autoritare afrikane në Institutin Universitar të Lisbonës, duke shtuar se ajo ishte “e sigurt se Obiang do të zgjidhet me më shumë se 95%” të votave”.

Siç vënë në pah mediat, opozita politike mezi tolerohet dhe pengohet rëndë nga mungesa e një shtypi të lirë, pasi të gjitha mediat elektronike ose janë në pronësi të plotë të qeverisë ose të kontrolluara nga aleatët e saj.

Mendohet se presidenti Obiang, i cili më parë ka mohuar shkeljet e të drejtave dhe manipulimin e zgjedhjeve, po kërkon të “pastrojë” reputacionin e tij ndërkombëtar.

Kështu, në shtator, qeveria hoqi dënimin me vdekje, një veprim i cili u vlerësua nga OKB-ja. /Telegrafi/

Read Previous

A do ta ndryshojë Kongresi i ri, me shumicë republikane politikën e jashtme të SHBA-së?

Read Next

​Anglia e nis Botërorin me sfidën ndaj Iranit, formacionet e mundshme