President i Sllovenisë, Borut Pahor viziton sot Kosovën – takohet me Osmanin e Kurtin

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor sot do të jetë për vizitë në Kosovë, ndërsa do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Vizita e tij në Kosovë vjen para mbajtjes së Samitit Brdo-Brijuni që do të mbahet në Slloveni të hënën tjetër.

Para vizitës në Prishtinë, Pahor ishte në Beograd.

Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë ka ftuar në bisedë ambasadorin serb, për shkak të deklaratave të bëra nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq, gjatë vizitës së fundit të presidentit slloven, Borut Pahor në Beograd, tha se Sllovenia, sikurse edhe shtetet e tjera që e njohin Kosovën, ka shkelur integritetin territorial të Serbisë.

MPJ e Sllovenisë ftoi në bisedë ambasadorin serb në Lubjanë, Zoran Vlatkoviq, për të biseduar për këto deklarata që Vuçiqi i bërë gjatë një konference për media lidhur me vizitën e Pahorit në Serbi.

Ambasadori slloven në Serbi, Damjan Bergant, po ashtu është ftuar në bisedë për temën e njëjtë, tha Ministria sllovene për N1.

Presidenti serb, pas takimit me Pahorin në Beograd, ishte pyetur nga gazetarët pse Serbia nuk po i vendos sanksione Rusisë dhe ai ishte përgjigjur duke pyetur: “si t’ua shpjegoj qytetarëve se Serbia po i vendos sanksione Rusisë e jo Sllovenisë?”.

“Rusia nuk e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë. Sllovenia e ka shkelur. Dhe siç e shihni, ne kemi raporte të mira me Slloveninë”, tha Vuçiq dhe shtoi se Sllovenia, sikurse për shembull Franca, Gjermania dhe SHBA-ja që njohin pavarësinë e Kosovës, që sipas qëndrimit të Serbisë, po shkel ligjin ndërkombëtar, Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Ministria e Jashtme sllovene tha se ishte shumë e befasuar nga deklaratat e Vuçiqit.

“Edhe një herë, ne përsërisim qëndrimin tonë lidhur me Kosovën, që Sllovenia e njeh si shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë drejtim, ne shprehim pritjet tona që Serbia në të ardhmen të mos e problematizojë qëndrimin tonë karshi Kosovës sepse mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Ne po ashtu shprehim kundërshtinë që njohja e Kosovës nga Sllovenia të krahasohet me agresionin rus kundër Ukrainës”, u tha në deklaratën e Lubjanës. 

/Telegrafi/

Read Previous

Sulm kibernetik ndaj institucioneve të Kosovës, Qeveria thotë se erdhi nga jashtë

Read Next

Presidentja Osmani merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së