Politika britanike në krizë të vazhdueshme pas Brexitit

Mbretëria e Bashkuar është gati të ketë kryeministrin e saj të shtatë që nga 23 qershori i vitit 2016, kur vendi pati votuar me 52% kundrejt 48% për t’u larguar nga Bashkimi Evropian pas më shumë se katër dekadash anëtarësim. Kryeministri konservator David Cameron, i cili thirri referendumin për këtë çështje, por I cili bëri fushatë për qëndrimin e Britanisë në BE, dha dorëheqje të nesërmen.

Pasardhësit e tij janë përballur, kryesisht pa sukses, me pasojat e kësaj ndarjeje. Më i fundit është kryeministri laburist Keir Starmer, i cili njoftoi të hënën se do të largohej nga posti pas dy vitesh të karakterizuara nga një ekonomi e ngadaltë, një qeveri jofunksionale dhe një elektorat i përçarë e i zhgënjyer – trashëgimi që, të paktën pjesërisht, lidhen me Brexit-in.

Edhe pse vendimi nuk zë më vend kryesor në titujt e mediave, “gjurma e nëndheshme e Brexit-it” vazhdon të ndikojë politikën gjithnjë e më të trazuar britanike, thotë Chris Grey, akademik që ka studiuar pasojat e largimit të Britanisë nga BE-ja.

Fushata për Brexit kanalizoi pakënaqësinë

Mbështetësit e Brexit-it premtuan se largimi nga blloku politik dhe ekonomik, me atëherë 28 anëtarë, do t’i mundësonte Britanisë të “rimarrë kontrollin” mbi ligjet, ekonominë dhe kufijtë e saj.

Ndërsa fushata për të qëndruar në BE u fokusua kryesisht te pasojat ekonomike të largimit, kampi i Brexit-it përdori një qasje më emocionale.

“Ne mund t’i shohim livadhet e ndriçuara nga dielli përtej. Besoj se do të ishim të çmendur të mos e shfrytëzonim këtë mundësi që vjen vetëm një herë në jetë për të kaluar përmes asaj dere”, deklaroi Boris Johnson, një nga figurat kryesore të fushatës për Brexit, i cili më vonë u bë kryeministër.

Margaret MacMillan, profesoreshë e historisë në Universitetin e Torontos, tha se Brexit-i u nxit nga një kombinim motivesh, përfshirë nostalgjinë “për një të kaluar të imagjinuar”.

“Ishte kundër asaj që njerëzit e shihnin si imigrim të pakufizuar. Ishte kundër asaj që ata e konsideronin si rregullore të BE-së. Pastaj ishte kjo përzierje nostalgjie – ‘Ne luftuam të vetëm në Luftën e Dytë Botërore’. Gjë që, natyrisht, nuk ishte e vërtetë”, tha ajo. “Asnjëherë nuk u shpjegua qartë se çfarë do të sillte Brexit-i.”

Përpjekjet për ta bërë Brexit-in funksional i “rrëzuan” të gjithë

Realiteti i ashpër shpejt u përplas me premtimet ambicioze të mbështetësve të Brexit-it për kontroll të emigracionit, marrëveshje tregtare, më shumë fonde për shërbimet publike dhe fundin e rregulloreve të ndërlikuara që vinin nga Brukseli.

Bisedimet e vështira për “divorcin” zgjatën me vite. Britania u largua zyrtarisht nga BE-ja më 31 janar 2020, pasuar nga një periudhë tranzitore 11-mujore deri në ndarjen përfundimtare.

Kryeministrja Theresa May, pasardhëse e Cameronit, dha dorëheqje në vitin 2019 pasi nuk arriti të sigurojë kushte largimi të pranueshme për Parlamentin e përçarë.

May u pasua nga Boris Johnson, i cili premtoi se do ta “përfundonte Brexit-in” dhe arriti të sigurojë një marrëveshje minimale tregtare pas negociatave që i futën marrëdhëniet Britani-BE në një periudhë të ftohtë.

Ai u rrëzua nga Partia Konservatore në mesin e vitit 2022 pas një sërë skandalesh financiare dhe etike. Pasuesja e tij, Liz Truss, qëndroi në detyrë vetëm 49 ditë. Kryeministri pas saj, Rishi Sunak, zbuti tensionet me BE-në pa bërë ndryshime të mëdha.

Starmer premtoi një “rifillim” të marrëdhënieve, por refuzoi të shqyrtonte rikthimin në tregun e përbashkët evropian, i cili garantonte tregti pa tarifa dhe barriera të tjera.

Ndërsa ai largohet nga pushteti, Brexit-i mbetet ende një çështje e papërfunduar.

Partitë politike u përçanë

Historiani Anthony Seldon tha se Cameron thirri referendumin e vitit 2016 me shpresën se do t’i jepte fund debateve për marrëdhëniet me Evropën, të cilat prej kohësh kishin përçarë Partinë Konservatore. Por kjo nuk ndodhi.

“Njerëzit që ishin të fiksuar pas kësaj çështjeje vazhdojnë të jenë të tillë. Problemet e Britanisë kanë vazhduar”, tha ai për Times Radio.

Gjatë negociatave për largimin, konservatorët që kërkonin një Brexit më të butë dhe lidhje më të afërta me BE-në u margjinalizuan nga krahu triumfues pro-Brexit.

Edhe Partia Laburiste, megjithëse shumë më proevropiane, mbetet e ndarë mes atyre që duan afrimin ose rikthimin në BE dhe drejtuesve si Starmer, të cilët nuk duan të rihapin plagët e vjetra.

Dhjetë vjet më vonë, miliona votues kanë braktisur dy partitë kryesore për alternativa të tjera, si Partia e Gjelbër dhe Reform UK e ekstremit të djathtë, e udhëhequr nga Nigel Farage.

Farage është ndoshta fituesi më i madh politik i Brexit-it. Ai bëri fushatë për largimin nga BE-ja dhe më pas pretendoi se Brexit-i ishte tradhtuar. Mesazhi i tij kundër emigracionit ka kaluar nga fokusimi te punëtorët polakë te azilkërkuesit që mbërrijnë me varka të vogla. Partia e tij kryeson vazhdimisht sondazhet.

Janë rritur cinizmi dhe dhuna politike

Ekonomia britanike ka hasur vështirësi gjatë dekadës së fundit, ndërsa bizneset janë përballur me barriera të reja tregtare ndaj fqinjëve më të afërt. Megjithatë, Brexit-i nuk është shkaku i vetëm i rritjes së ulët ekonomike. Pandemia COVID-19, lufta Rusi-Ukrainë dhe lufta me Iranin kanë luajtur gjithashtu rol.

“Nuk kemi pasur politikanë që t’i flasin hapur publikut për faktin se, kur të vijnë në pushtet, nuk mund të kenë njëkohësisht asnjë rritje taksash, asnjë rritje të borxhit dhe shërbime publike më të mira”, tha Hannah White, drejtoreshë e Institutit për Qeverisje. “Prandaj njerëzit janë të zhgënjyer.”

Brexit-i nuk e zbuti debatin për emigracionin; përkundrazi, ai është bërë edhe më i ashpër. Migrimi neto u rrit pas Brexit-it në më shumë se 900 mijë persona në vitin 2023, para se të binte në 171 mijë vitin e kaluar.

Cinizmi është shtuar dhe besimi te politikanët ka rënë ndjeshëm. Në vitet e fundit, grupe agitatorësh kanë nxitur dhunë në rrugë kundër emigrantëve pas krimeve të kryera ose të raportuara gabimisht si të kryera prej tyre.

“Më parë ekzistonte një kufi i qartë mes politikës tradicionale të debatit dhe argumentit dhe asaj që konsiderohej e papranueshme – dhuna në rrugë”, tha Grey. “Mendoj se ky kufi po zbehet. Dhe kjo, në një masë të madhe, filloi me Brexit-in.”

A u penduan britanikët? “Ashtu – ashtu”

Sondazhet sugjerojnë një shkallë të caktuar “pendese për Brexit-in” (“Bregret”) lidhur me zgjedhjen e bërë një dekadë më parë. Një anketë e fundit e Ipsos-it tregoi se 52% e britanikëve do të dëshironin rikthimin në BE, ndërsa 33% janë kundër.

Qindra persona, shumë prej tyre duke valëvitur flamujt blu dhe të verdhë të BE-së, marshuan të shtunën në Londër në një protestë për rikthimin në union. Megjithatë, pjesëmarrja ishte shumë më e vogël krahasuar me protestat masive gjatë kulmit të debatit për Brexit-in. Shumë njerëz thjesht duan të ecin përpara.

Por Brexit-i mbetet një fushë e minuar politike ku pak politikanë guxojnë të hyjnë. Edhe nëse Britania do të dëshironte të rikthehej, rruga drejt një BE-je tashmë të kujdesshme do të ishte e gjatë.

Grey thotë se derisa politikanët të jenë të gatshëm të përballen me trashëgiminë e Brexit-it, Britania do të vazhdojë të përballet me një “rrymë të vazhdueshme krizash të lehta”.

Ai e krahasoi Mbretërinë e Bashkuar me një person që vuan nga një sëmundje kronike që i pakëson energjinë.

“Diçka kronike, në këtë rast ndoshta jo e pashërueshme”, tha ai. “Por problemi është se nuk kanë dëshirë të shkojnë te mjeku, sepse e dinë se nuk do të jetë aspak e këndshme”. (Marrë nga AP)

Read Previous

​Ky ishte heroi ndërkombëtar që zhvilloi vaksinën e parë kundër polios

Read Next

Pesë gola në dy ndeshjet e para të Botërorit, Messi: Mund të kisha shënuar edhe më shumë