Policia e Shtetit ka reaguar sërish në lidhje me ndeshjen mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, Tiranë, duke filluar nga ora 20:45 e kësaj të hëne.
Në apelin e saj drejtuar tifozëve, Policia iu ka bërë thirrje atyre të jenë të përmbajtur në veprime, të zbatojnë rregulloret dhe mbi të gjitha të festojnë në “mënyrë të kulturuar”.
Njoftimi i Policisë:
Mbrëmja e sotme ku do të luhet ndeshja Shqipëri – Ishujt Faroe, në stadiumin “Air Albania”, është padyshim një mbrëmje festive për të gjithë shqiptarët.
Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktivitetit sportiv, me qëllim që atmosfera festive e kësaj mbrëmjeje të mos venitet nga ndonjë incident.
Apelojmë për tifozët, sportdashësit dhe të gjithë qytetarët që të zbatojnë udhëzimet e Policisë, për bllokimim e rrugëve dhe rregullat për hyrjen në stadium, duke mos tentuar që të futin në stadium asnjë send të kundërligjshëm, pasi kontrolli do të jetë i rreptë, njësoj siç është vepruar në ndeshjet e tjera ndërkombëtare.
Gjithashtu, Policia ka marrë të gjitha masat edhe për festimet që do të zhvillohen pas ndeshjes, në sheshe, lokale dhe në rrugët e vendit, prandaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, që të festojnë në mënyrë të kulturuar, që ta vulosim këtë fitore të kombëtares sonë, me vulën e imazhit më pozitiv të vendit.
/albanianpost/