Përplasje në Komisionin për Ekonomi, ministrja Hajdari thotë se po “shantazhohet nga mediat”

Ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, është deklaruar sot në kuadër të Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë kësaj mbledhje të komisionit, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka pyetur ministren për një mori çështjesh, ndër të tjerash edhe për disa trajnim që kishin të bënin me njërin nga zyrtarët e ministrisë.

E në deklarim e sipër, ministrja Hajdari tha se “ka marrë shumë shantazhe nga mediat”.

Nuk dihet se për çfarë saktësisht fliste ministrja, pasi që nuk e sqaroi por ajo tha se këto “shantazhe”, kishin të bënin me trajnime e edukime.

“Po marr shantazhe nga mediat, jo trajnimi, jo edukimi e të tjera.Nuk janë nënshkruar marrëveshjet në hotelin e lartcekur, por ka qenë një tjetër.Ne kemi trashëguar një ministri ku nuk kemi vend për mbi 130 persona.”, tha ministrja Hajdari.

Mbledhja e Komisionit për Ekonomi është duke vazhduar ku po diskutohen për disa pika të rendit të ditës.

E pas përfundimit të fjalës nga ministrja Hajdari, nga deputetët e tjerë pati ankesa se deputeti Shala nuk ua dha fjalën e as mundësinë që të parashtrojnë pyetje gjatë gjithë mbledhjes.

E deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se Shala po tenton të denigrojë personalitetin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, i cili është staf civil.

“Ekziston procesverbali dhe incizimi. Pyetje gjithnjë i kishi me tendenca, a keni shku a keni bë? Normal që ministria nuk ka vend për mbi 130 persona që vinë të nënshkruajnë. Ka deviju kjo mbledhje.”, tha Kusari-Lila.

“Mimoza deshi të shpërqendrojë vëmendjen.”, deklaroi deputeti Ferat Shala.

“Ka nënshkruar 8 milionë euro, personi që nuk është pjesë e ministrisë.”, shtoi tutje ai.

“Por është pjesë e Bankës Botërore.”, iu kundërpërgjigj deputetja Kusari-Lila.

E pas gjithë kësaj ka reaguar edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi.

“Duhet të flasin të gjithë me radhë, e jo vetëm njëri. Po të dëgjohen të gjithë me radhë.”, tha deputetja Valentina Bunjaku Rexhepi.

Rendi i ditës:

1. Miratimi i rendit të ditës;
2. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e mbajtur më datë 12.04.2022;
3. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për Projektligjin nr.08/L-056 për mbrojtjen e konkurrencës;
4. Caktimi i ekspertit për hartimin e nismës legjislative “Projektligji për kriptovaluta”;
5. Raportimi i ministres së industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë, znj.Rozeta Hajdari, lidhur me gjendjen dhe administrimin e rezervave shtetërore të mallrave; si dhe lidhur me “Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore”;
6. Të ndryshme./Lajmi.net/

Read Previous

Paralajmërimi për grevë, SBASHK-u: Nesër nuk do të ketë fillim të veprimeve sindikale

Read Next

Edi Rama pret në takim ish-kryeministrin britanik Tony Blair në Tiranë